Ta përfaqësosh vendin ku s’je lindur!

Sport February 13, 2018 - 10:52

Të garosh për vendin tënd në Lojërat Olimpike Dimërore është nderi më i madh për disa. Për të tjerë flamuri kombëtar në fanellë është diçka më i kompletuar.

Në “PyeongChang 2018” po garojnë 178 atletë që i përfaqësojnë vendet tjera apo që janë lindur diku tjetër, shkruan "Zëri".

Njëri prej tyre është edhe Albin Tahiri. Garuesi i vetëm i Kosovës në evenimentin që po mbahet në Korenë e Jugut është lindur dhe është rritur në Slloveni. Megjithatë, ai vendosi ta zgjedhë vendin e babait të tij dhe këtë thotë se do ta bëjë me nder dhe me krenari.

“Kjo është ajo për të cilën kam ushtruar gjatë tërë jetës. Unë jetoj për këtë sport, ëndrra ime po bëhet realitet. Për mua pjesëmarrja në Olimpiadën Dimërore është po ashtu një shpërblim për çdo minutë që kam investuar në këtë sport dhe kjo po shpërblehet në fund. E kam pritur Kosovën dhe më në fund do ta përfaqësoj vendin e babait tim. Është një nder për mua. Do të mundohem t’i bëj krenarë bashkëkombësit e mi”, ka thënë 28-vjeçari para nisjes për në shtetin aziatik, transmeton "Zeri.info".

Prin Amerika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi me më së shumti garues joamerikanë të lindur që garojnë për këtë vend. SHBA-në e përfaqësojnë 37 garues që janë lindur në pjesë të tjera të botës.

Ndërkaq, pozita e dytë me 21 garues i takon Kanadasë, i cili njihet si një vend multietnik, e pozita e tretë shkon për Rusinë, me 19 garues. Në total janë 6% e atletëve që po garojnë në Kore të Jugut për vendet që nuk janë lindur në to, sipas kërkimeve të kompanisë globale që merret me këto statistika “CapRelo”.

Skijimi alpin, më i populluari

Skijimi alpin prin me më së shumti garues që i përfaqësojnë vendet ku s’janë lindur, respektivisht 32 sosh, kurse vallëzimi në akull ka 26 garues të tillë. 12 vende përfaqësohen në total nga garuesit që s’janë lindur aty, tetë prej tyre janë garues individualë dhe tre prej tyre, nga Nigeria, Kosova e Eritrea, po e bëjnë paraqitjen e parë në Olimpiadën Dimërore.

Për disa sportistë ndërrimi i ekipit përfaqësues është i nevojshëm për ta realizuar ëndrrën e tyre. I tillë ishte edhe rasti i Tahirit, i cili realisht nuk kishte gjasa të shkonte në Olimpiadën Dimërore me Slloveninë, e cila njihet si një fuqi në sportet dimërore.

Por, atij nuk i ra keq pasi e zgjodhi vendin e babait të tij, të cilin po mundohet ta prezantojë me zemër. /ZËRI/