Shkëndijat e vëllazërimit

Sport February 03, 2018 - 08:26

Miqësia e vjetër e dy biznesmenëve të njohur, Lazim Destanit dhe Remzi Ejupit, tashmë ka krijuar miqësi të fortë edhe ndërmjet klubeve që u prijnë, Shkëndijës nga Maqedonia dhe FC Prishtinës nga Kosova Kjo më së miri u vërtetua në afatin kalimtar të janarit, kur kuqezinjtë dhe bardhekaltrit shkëmbyen lojtarë të mëdhenj. Visar Musliu i huazuar nga FC Prishtina po konsiderohet si më i madhi i Shkëndijës. Kurse Shqiprim Taipi i huazuar nga Shkëndija po vlerësohet si kryesori i FC Prishtinës, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Sukseset në sektorin e biznesit Lazim Destani dhe Remzi Ejupi po përpiqen t’i përsërisin edhe në futboll, ku qe disa vite u prijnë dy klubeve të famshme shqiptare – Shkëndijës nga Tetova dhe FC Prishtinës. Miqësia ndërmjet Destanit dhe Ejupit ka krijuar lidhje të fortë edhe ndërmjet dy klubeve që u prijnë dhe kjo më së miri u pa në afatin kalimtar të janarit. Duke e marrë Visar Musliun nga Vardari FC Prishtina arriti t’ia “dobësojë” Shkëndijës rivalin maqedonas. Dhe, duke e huazuar Musliun në Tetovë FC Prishtina e ka bërë favorite edhe më të madhe Shkëndijën në luftën për titullin e kampionit të Maqedonisë, në të cilën betejë ekipi shqiptar i ka tetë pikë më shumë sesa rivali maqedonas.

Ndërkohë, Shkëndija të mirën ia ktheu me të mirë FC Prishtinës, e cila në sezonin pranveror do të sfidohet nga kundërshtarë të shumtë e të fuqishëm në luftën për titullin e kampionit të Kosovës. Tetovarët ia dhanë ekipit prishtinas Shqiprim Taipin, natyrisht në formë huazimi. Vetë klubi bardhekaltër e vlerëson Taipin si përforcimin më të madh që e bëri në afatin kalimtar të janarit. “Përforcimi më i madh i këtij afati është mesfushori nga Tërnoci i Bujanocit, Shqiprim Taipi.

Taipi deri më tani ka qenë futbollist i Shkupit i huazuar nga Shkëndija e Tetovës. Taipi 20 vjeç, i zbuluar nga Shkëndija dhe me paraqitje në ndeshjet kualifikuese në Europa League me skuadrën tetovare, si lojtar i huazuar është aktivizuar edhe me Horizont e FC Shkupi nga Maqedonia”, thuhet në uebfaqen zyrtare të klubit bardhekaltër.

Ndërsa edhe vetë mesfushori i ardhur në klubin e madh kosovar thotë se në FC Prishtinë ka filluar shpejt të ndihet sikurse në Shkëndijë, e cila e zotëron kartonin e tij.

“Isha shumë i kënaqur kur e mora vesh se më kërkonte Prishtina, për arsye se është klub shumë i trofeshëm në Kosovë dhe po ashtu të gjithë bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë. Pra, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Prishtinës dhe të arrijmë objektivat e klubit e më kryesorja dihet që është titulli i kampionit”, ka deklaruar përforcimi i madh i FC Prishtinës, Shqiprim Taipi.

Përforcime për titull

Shqipërim Taipi vlerësohet si përforcimi më i madh i FC Prishtinës, por jo edhe i vetmi. Krejt në fund të afatit kalimtar të janarit bardhekaltrit befasuan duke e angazhuar njërin prej lojtarëve më cilësorë nga të huajt që kanë luajtur në Kosovë, ish-futbollistin e Gjilanit, Arago Jamal. “U ktheva sërish në futbollin e Kosovës sepse mendoj se mund të përfundoj atë që e kisha nisur pak vite më herët dhe që nuk e përfundova. Kampionati i Kosovës tani e ka mundësinë të ua ofroj sidomos të rinjve perspektiven e ngjitjes më lart në futboll. Po ashtu kanë bërë edhe njohjet e mia me disa futbollistë, raportet me kryetarin e klubit që të jem pjesë e Prishtinës dhe kampionati i Kosovës do të jetë sërish mundësi e mirë e eksplorimit tim”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, për të krijuar siguri dhe konkurrencë në repartin sulmues FC Prishtina ka nënshkruar kontratë me brazilianin Freitas De Souza, të cilin fillimisht e ka testuar trajneri Mirel Josa. Sulmuesi brazilian shpreson ta shpaguajë besimin e klubit bardhekaltër duke i ndihmuar me gjithë kapacitetin e tij në rrugën drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës. 

Image
Image