Bomba e janarit

Sport January 29, 2018 - 13:05

FC Prishtina e ka shpërthyer “bombën” e janarit. Bardhekaltrit kanë goditur duke e sjellë në kryeqytet futbollistin shqiptar Visar Musliu. 23-vjeçari kishte oferta nga klube të ndryshme evropiane, madje edhe në Itali, por ishte presidenti i klubit Remzi Ejupi ai që e bindi lojtarin të vishet bardhekaltër dhe t’i ndihmojë prishtinasit në pranverë drejt titullit të Kampionit dhe Kupës, e rrjedhimisht edhe daljes në Evropë. Futbollisti nga Gostivari i është bashkuar ekipit të ri në përgatitje në Antalya

Afati kalimtar i janarit e ka sjellë një “bum” transferimi. FC Prishtina e ka transferuar futbollistin shqiptar Visar Musliun.

“Zëri” ka mësuar se qendërmbrojtësi i është bashkuar ekipit në përgatitje në Turqi. Lojtari ka nënshkruar kontratë me klubin kosovar, por detajet e saj ende nuk dihen.

Ishte presidenti i klubit Bardhekaltër Remzi Ejupi, ai i cili e ka bindur futbollistin e deritashëm të Vardarit që të vishet bardhekaltër dhe ta ndihmojë Prishtinën në pranverë drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës, e rrjedhimisht edhe daljes në Evropë.

Refuzoi klubet italiane për Prishtinën

23-vjeçari kishte oferta të shumta jo vetëm nga klubet e rajonit, por edhe në Itali.

Gazeta kupton se për Musliun interesim kishin shfaqur edhe klubet italiane si Genoa dhe Empoli, por ai vendosi të nënshkruajë me prishtinasit, me të cilët synon ta ketë një pranverë të suksesshme.

Musliu konsiderohet si njëri prej lojtarëve më perspektivë shqiptarë dhe e ardhmja e tij parashihet të jetë në ndonjë klub të madh evropian.

Image

Reprezentues i Maqedonisë

Musliu ka luajtur për ekipet zinxhir të Maqedonisë, duke i përfaqësuar skuadrat U-17, U-19 e U-21 të këtij vendi, ndërsa në vitin 2017 ka zhvilluar katër ndeshje me Përfaqësuesen A të Maqedonisë, ndërkohë që e ka realizuar edhe një gol.

Musliu është qendërmbrojtës, i gjatë 186 centimetra, i lindur në Gostivar më 13 nëntor 1994.

Në të kaluarën ka luajtur për ekipet si Renova, Gostivar, St. Gallen U-21 dhe Vardar.

Vlera e Musliut

Në bazë të faqes së specializuar për vlerësimin e lojtarëve, “Transfermarkt.com”, vlera aktuale e Visar Musliut është 600 mijë euro.

Megjithatë, pas interesimit të klubeve të ndryshme evropiane, sidomos atyre italiane, gjithsesi se pesha e futbollistit shqiptar do të rritet.

Pa dyshim, prishtinasit do të kenë siguri shumë më të madhe në repartin defanziv gjatë pranverës në Superligë me Musliun në zemër të mbrojtjes. /Zëri/