Kështu kaluan karateistët kosovarë në Premier League

Sport January 28, 2018 - 16:58

Karateistët kosovarë nuk kanë arritur të jenë të suksesshëm në evenimentin e rëndësishëm të karatesë, Premier League “Paris 2018”, që u mbajt gjatë fundjavës në Francë, shkruan zeri.info.

Orges Arifi në kategorinë kumite -60 kg e ka fituar luftën e parë ndaj francezit Jacqueray Adam 2:1, ndërsa në të dytën u mposht nga kampioni botëror, braziliani Douglad Bross, me vendim unanim të gjyqtarëve, pasi në kohën e rregullt rezultati ishte 0:0.

Arifi më pas u kualifikua në repesazh, ku fitoi luftën e parë, derisa në të dytën pësoi humbje.

Për të është arritje e mirë, pasi përfundoi në 10 garuesit më të mirë, edhe pse nuk fitoi medalje.

Ndërkohë, Adelina Rama në kategorinë -60 kg me sukses e kaloi pengesën e parë, duke e mposhtur kolumbianen Stefany Medina, kurse në luftën e dytë u mposht nga Jacquelin Factos e Ekuadorit.

Ndërkaq, dy garuesit tjerë që e përfaqësuan Kosovën në këtë eveniment u eliminuan qysh në luftën e parë.

Herolind Nishevci u mund nga iraniani Hadi Arab, kurse Fortesa Orana ishte e pafuqishme në duel me azerbajxhanasen Farilda Aliyeva. /Zëri/