Një Kosovë 'tjetër' në Ligën e Kombeve

Sport January 24, 2018 - 09:46

Kosova sikur e ka harruar përvojën e hidhur nga kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, në të cilat i kishte regjistruar nëntë humbje rresht pas një barazimi fillestar. Në Prishtinë me optimizëm po pritet shorti për Ligën e Kombeve të UEFA-s, i cili do të tërhiqet sot e i cili ekipin tonë përfaqësues po e gjen pa kryetrajner. Kosova ka vetëbesim të madh se posedon potencial të mjaftueshëm për ta fituar Ligën D, duke i pasur parasysh të gjitha shtetet e mundshme kundërshtare, shkruan sot, gazeta "Zëri".

E mërkura do të jetë një ditë e veçantë për futbollin kosovar. Kosova dhe kosovarët për herë të parë do t’i përjetojnë emocionet reale që burojnë nga tërheqja e shortit për një garë të madhe ndërkombëtare.

Në fakt, prej orës 12:00 në Zvicër UEFA do ta tërheqë shortin e Ligës së Kombeve, një garë e re e Konfederatës Evropiane.

Kosova është e vendosur në vazon e fundit të Ligës D. Kjo për shkak se skuadra dardane është në vendin e 53-të të ranglistës së UEFA-s. Vetëm San Marino dhe Gjibraltari janë pas Kosovës. 12 shtetet e para të kësaj rangliste do të garojnë në Ligën A të Ligës së Kombeve.

12 përfaqësueset e tjera të radhës do të garojnë në Ligën B. Kurse 15 ekipet tjera përfaqësuese, sipas radhës, do të garojnë në Ligën C. Ndërsa në Ligën D janë 16 ekipet e fundit të ranglistës. Pra ato të nivelit më të dobët, në të cilin bën pjesë edhe Kosova, raporton "Zëri".

Kosova bën pjesë në vazon e katërt, përkatësisht të fundit të Ligës D bashkë me Andorrën, e cila në ranglistën e UEFA-s është një pozitë më lart sesa Kosova e po ashtu me San Marinon dhe me Gjibraltarin, që janë pas vendit tonë.

Në vazon e parë të Ligës D janë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia. Njëra nga këto shtete do të jetë kundërshtare e Kosovës. Kundërshtarja tjetër e ekipit tonë përfaqësues do të dalë nga vazoja e dytë, e përbërë nga Armenia, Letonia, Ishujt Faro dhe Luksemburgu. Ndërkohë, nga vazoja e tretë kundërshtare e Kosovës do të jetë njëra prej këtyre ekipeve: Kazakistani, Moldavia, Lihtenshtajni, Malta.

Pra, nga Liga D do të formohen katër grupe me nga katër shtete. Fituesit e këtyre katër grupeve në edicionin e ardhshëm do të shkojnë në Ligën C. Njëherësh katër ekipet më të mira nga katër grupet e Ligës D do ta fitojnë edhe një shans për të shkuar në “Euro 2020”, nëse atë nuk e arrijnë përmes kualifikimeve të Kampionatit Evropian. Atë mund ta arrijnë përmes “Play-Off”-it. Njëherësh kjo vlerësohet si profiti apo mundësia më e mirë që del nga kjo garë e re e UEFA-s, për çka shtetet anëtare kanë arsye të madhe që t’i qasen seriozisht asaj.

Natyrisht, edhe Kosova do t’i qaset shumë seriozisht. Kështu të paktën thonë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe vetë futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës. Madje në Prishtinë po thonë se Kosova ka potencial për t’u shpallur më e mira në Ligën D të Ligës së Kombeve.

Pra optimizmi është i madh në mesin e kosovarëve, të cilët sikur e kanë harruar përvojën e hidhur nga kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, në të cilat Kosova i ka zhvilluar dhjetë ndeshje, duke e regjistruar fillimisht një barazim për të vazhduar pastaj me nëntë humbje rresht. Mirëpo, në vendin tonë thonë se tani punët do të jenë ndryshe. Kosova në Ligën e Kombeve do të shkojë me një ekip që tashmë e ka finalizuar procesin e ndërtimit.

Po ashtu me një përvojë sado të vogël që e ka fituar nga kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, të cilën e kishte nisur pa pikë përvoje. Ndërkohë, edhe kundërshtarët do t’i ketë më të lehtë në krahasim me ata të Botërorit: Islanda, Kroacia, Ukraina, Turqia e Finlanda. Po ashtu Kosova pret që ndeshjet si vendase të Ligës së Kombeve t’i zhvillojë në Prishtinë, ku stadiumi po rregullohet e jo në Shkodër, ku luante gjatë eliminatoreve të Botërorit.

"Zëri" shkruan se problemi i vetëm në prag të shortit të Ligës së Kombeve llogaritet fakti se shorti po e gjen Kosovës pa përzgjedhës, të cilin sikur ta kishte tani sigurisht se ai menjëherë do të fillonte me analizim të kundërshtarëve dhe sfidave që e presin.

Por, në FFK janë të bindur se edhe kjo çështje do të kryhet shumë shpejt pas shortit të së mërkurës. Kosova ka mbetur pa trajner prejse kanë përfunduar kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, kur FFK-ia ndërpreu kontratën e bashkëpunimit me Albert Bunjakin, i cili nga një pjesë e madhe shihej si fajtor i dështimit të Kosovës e nga një pjesë tjetër po ashtu e madhe konsiderohej punëtor i madh, pasi kishte arritur të tubojë në kampin verdhekaltër futbollistë perspektivë, me të cilët shtetit tonë ia ndërtoi dhe ia la një bazë të mirë të ekipit përfaqësues. /Zëri/