Aziz Salihu: Kadri, ami paret!

Sport January 23, 2018 - 15:38

Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë olimpike, në vitin 1984 në Los Anxhelos, njëherësh është kryetar i klubit të boksit Prishtina, kërkon paratë e premtuara, sipas tij nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri i sportit! Salihu tha se, ka vendosur me 3 mars të mbajë turneun ndërkombëtar “Faleminderit Amerikë dhe Diasporë”.

‘Zizi’ është i revoltuar që ende nuk i ka marrë paratë e premtuara për turneun që do të organizojë në fillim të marsit, të cilin e kishte planifikuar me 23 dhjetor të vitit të kaluar, por shkaku i mjeteve financiare e kishte shtyrë.

“Kërkoj nga Kadria dhe ministri t’i mi japin paratë e premtuara për turneun”, tha Salihu. Sipas ‘Zizit’, shuma e kërkuar është 6 mijë euro.

“Marre është mos me ndihmuar për turne. Në turne do të marrin pjesë 7-8 shtete. Ai do të mbahet me 3 mars.  Kadri Veseli bashkë me ministrin me kanë premtuar se do të mi japin paratë dhe po presë.  Me drejtorinë e DSK-së dhe sekretarin e ministrisë, nuk dua me pas punë”, ka thënë Salihu.

‘Zizi’ tha se është krenarë që në kohën e okupimit u rrah nga regjimi kriminal serb.

“Jam kënaq që më kanë rrahur, sepse e kam mbrojtur popullin tim, kam luftuar për shtet timin”, thotë Salihu. “Nuk mund të flejë nga gëzimi që po e mbajë turneun dhe nuk do ta lë popullin të mërzitet për turne të boksit”, premton ‘Zizi’.

Duhet kujtuar se, ministria kishte konfirmuar gjatë dhjetorit, se Salihut ia ka bartur mjetet (2300 euro) në xhirollogari bankare.

“MKRS-ja ka ndarë mjete financiare në shumë prej 2300 euro për organizimin që ka pasur në plan klubi i boksit “Prishtina” të cilin e përfaqëson ish-boksieri Aziz Salihu, dhe këto mjete u janë bartur në xhirollogarinë e organizatorëve me kohë nga ana e MKRS-së”, kështu ishte konfirmuar nga ana MKRS-së.

Por ‘Zizi’ tha se, këto mjete janë shpenzuar për një turne tjetër që e ka mbajtur në Prishtinë, ndërsa për turneun e 3 marsit i duhen 6 mijë euro tjera. /Bota Sot/