Agim Cana çuditet me fillim!

Sport January 23, 2018 - 13:56

Futbolli kosovar e ka çuditur Agim Canën qysh në ditët e para. Presidenti i ri i Vëllaznimit ka mbetur gojëhapur me faktin se futbollistët dhe trajnerët në Kosovë paraprakisht kërkojnë para kesh përpos rrogës. Ai thotë se një gjë e tillë nuk ndodh askund në botë dhe se nuk do të pijë ujë as tek ai. Ndërkohë, premton se do të punojë për t’i shpëtuar fillimisht gjakovarët pa rënë nga liga dhe më pas t’i ngrejë sa më lart Kuqezinjtë

Vëllaznimi ishte njëri prej klubeve më aktive në afatin kalimtar të janarit, shkruan sot gazeta Zëri.

Presidenti i ri i klubit, Agim Cana, ka qenë në qendër të vëmendjes në ditët e fundit me përforcimet që i solli në Gjakovë përmes të cilave synon ta shpëtojë ekipin gjakovar pa rënë nga Superliga.

Megjithatë, ish-futbollisti i njohur i Prishtinës ka hasur menjëherë në vështirësitë dhe parregullsitë me të cilat përballet futbolli kosovar.

Problemi i parë me të cilin u ballafaqua ai ishte mënyra se si i marrin paratë futbollistët dhe trajnerët në Kosovë.

Siç dihet, përpos rrogës këta të fundit u kërkojnë klubeve paraprakisht disa mijëra euro “nën tavolinë”, të gjitha kesh.

Cana thotë se diçka e tillë nuk ndodh askund në botë dhe se nuk do të ndodhë asnjëherë derisa ai të jetë me pozitë në futbollin kosovar.

“Futbollin kosovar e kam më shumë me të dëgjuar sesa që e njoh. Shumë shpejt, me kohë, xhiro pas xhiroje adaptohem me këto rrethana që janë të vështira këtu në Kosovë”, thotë fillimisht ai për “Zërin”.

Cana e ka përmendur rastin me trajnerin Bylbyl Sokoli, me të cilin nuk u morën vesh pikërisht për shkak të kësaj kërkese, të pazakontë për të.

“Ashtu nuk funksionoj unë dhe kurrë nuk do të funksionoj ashtu. Askund në botë nuk ka që ta marrësh rrogën paraprakisht. Këtu ishin mësuar ndryshe, duket se vetë krerët e klubeve i kanë mësuar ashtu që t’i paguajnë para kohe. Atë që e kërkoi Bylbyli (Sokoli), i thashë ‘OK’ dakord. I thashë personit që merret me pagesa që atë shumë ta pjesëtojë me gjashtë, sepse ishte marrëveshja gjashtëmujore. I thashë se do t’ia paguaj edhe janarin, në të cilin kemi filluar nga data 15 janar dhe 15 ditë do t’ia jepja pa punuar fare. Por jo, kurrsesi, pasi ai i donte paratë më herët. Dhe i thashë faleminderit, respekt, kalofsh mirë dhe suksese. Edhe ndonjë futbollist mund të ma kërkoj një pagë vjetore dhe atë e pjesëtojmë me 12 dhe ia japim”, vazhdoi ai.

Image

Do ta këndellim Vëllaznimin

Vëllaznimi ka hasur në vështirësi financiare që prej pasluftës, e mbi të gjitha në dekadën e fundit.

Por Cana zotohet se do ta ngrejë në këmbë këtë klub me traditë, edhe pse e pranon se nevojitet punë e madhe dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Vëllaznimin e kam gjetur në gjendje të mjerueshme, por për çdo gjë ka shërim, ka rehabilitim, ka solucione për ta nxjerrë nga situata në të cilën gjendet”, shprehet ai.

“Vëllaznimi ka hequr qe 20 vjet, është keqmenaxhuar. Por, respekt për ata që kanë qenë deri më tash. Megjithatë, tash është një erë, një epokë e re me mua. Ka shumë punë të bëhet, do t’i ristrukturoj gjërat, do t’i bëj zyrat, do ta bëj një staf, një kryesi, një ekip, edhe pse këto kërkojnë pak kohë”, shtoi ai.

Synim, shpëtimi dhe Kupa

Vëllaznimi gjendet në pozitë jo fort të lakmueshme në tabelën e Superligës.

Megjithatë, Cana Senior po punon që gjakovarët t’i shpëtojë pa rënë nga liga e më pas do të mendojë për projektet më madhore.

“Unë kam ardhur me një objektiv, të mbetemi në ligë sivjet, kjo do të ishte fitorja jonë. E kemi po ashtu Kupën e Kosovës që do të jetë shumë e vështirë, por topi është i rrumbullakët”, nënvizoi ai.

Cana tregoi se ekipi gjakovar është kompletuar.

Momentalisht në klubin nga Rrafshi i Dukagjinit po testohet një futbollist brazilian, derisa ai ka treguar se të martën (sot) do të kthehet në klub Kushtrim Gashi, për të cilin kreu i klubit thotë se është një çun i shkëlqyeshëm, që ishte larguar i traumatizuar me krizën dhe me problemet që ishin në klub.

“Me bashkëngjitjen e tij kryhet efektivi dhe grupi i futbollistëve për këta gjashtë muaj”, thotë Cana.

Gjashtë muaj test për të gjithë

Kreu i klubit gjakovar nuk ia ka garantuar askujt vendin në Vëllaznim pas përfundimit të këtij sezoni.

Ai thekson se për të gjithë këta gjashtë muaj do të jenë një lloj testi.

“Ky është një test për të gjithë, prej kryetarit e deri te pastruesi. Gjatë verës kush e meriton do të rrijë. Do ta vendos unë së bashku me trajnerin se kush do të qëndrojë e kush jo. Askush nuk është i sigurt këtu që rri. E kemi të gjithë rastin që të dëshmohemi, duam apo jo. Gjatë verës do t’i qes gjërat në binarë”, përfundoi Cana. /Zëri/