Basketbolli kthehet në qendër të vëmendjes, por për të keq!

Sport January 22, 2018 - 13:07

Derbi i zhvilluar të dielën në Superligën e basketbollit ndërmjet Yllit dhe Rahovecit (99:86) ka prodhuar rast të paprecedent në vendin tonë.

Kjo ndeshje kishte tubuar rreth 1500 shikues, ndërsa tifozët vendas e kanë zbuluar një transparent me mbishkrimin “Rahoveci = made in Bugaria”, raporton "Zëri".

Klubi nga Rahoveci ka reaguar ndaj tifozëve të Suharekës, prej të cilëve ndihet i fyer edhe në baza raciste, duke kërkuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) që të ndërmarrë masa ndëshkuese konform rregulloreve të saj.

Zëri shkruan se Rahoveci i vlerëson raportet pozitive me Yllin, por ndihet tepër i fyer nga tifozët e Suharekës. Ndërkohë Ylli ka shpreh keqardhje që tifozët e tij ofenduan ekipin mysafir, duke u distancuar nga veprimi i tyre.

Ylli ka kërkuar edhe nga tifozët e vet të kërkojnë falje për ofendimin që ia kanë bërë Rahovecit, ndërsa thekson se ky rast nuk duhet t’i lë nën hije sjelljet e kahershme shembullore të tifozerisë nga Suhareka. FBK-ja pritet të shqiptoj dënim të ashpër ndaj akterëve të këtij rasti.

Kështu, ky rast ka bërë që basketbolli të kthehet në qendër të vëmendjes të opinionit, fatkeqësisht për të keq, e jo për diçka të mirë që po i mungon këtij sporti. /Zëri/