Shqipërinë apo Kosovën, Edoni në mes dy zjarresh!

Sport January 22, 2018 - 12:56

Edon Zhegrova e ka marrë lajmin e jetës. Talenti kosovar është ftuar nga Kombëtarja Shqiptare për miqësoren e radhës me Norvegjinë. 18-vjeçari e pranon se ndihet i lumtur që u ftua nga trajneri Cristian Panucci pasi në këtë mënyrë po i vlerësohet puna që po e bën në klubin belg, Genk. Sidoqoftë, ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Prishtinës thotë se do ta marrë vendimin definitiv nëse do t’ju thotë “Po” Kuqezinjve apo do ta presë Kosovën A vetëm pas pak ditësh. Ai gjendet në mes dy zjarresh

Kosova mund të mbetet edhe pa një talent dhe lojtar të së ardhmes, shkruan sot gazeta Zëri.

Edon Zhegrova është ftuar nga Kombëtarja Shqiptare për miqësoren e radhës ndaj Norvegjisë dhe futbollisti prishtinas është futur në mes dy zjarresh.

Muaj më parë ai i kishte thënë “Zërit” se dëshiron të luajë për Përfaqësuesen A të Kosovës, e cila megjithatë nuk e ka ftuar asnjëherë.

Dhe, së fundmi në dyert e tij trokiti përzgjedhësi i Kuqezinjve, Cristian Panucci, i cili i bëri ftesë zyrtare për ndeshjen e ardhshme.

18-vjeçari e pranon se kjo ftesë e ka lumturuar, por që nuk e ka marrë ende vendimin definitiv nëse do të luajë për Shqipërinë apo do ta presë Kosovën A, pasi deri më tash e ka ftuar vetëm Kosova U-21.

“Panucci më ka ftuar për të luajtur në Kombëtaren A, me Norvegjinë në Elbasan. Jam shumë i lumtur dhe më ka ardhur shumë mirë që më ka ftuar, pasi me këtë rast po vërehet puna ime që po e bëj. Sidoqoftë, këto ditë do t’i kthej përgjigje atij”, ka thënë ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Prishtinës për “Zërin”.

S’më ftoi Kosova

Zhegrova ka njoftuar po ashtu se deri më tash nuk ka marrë ende ftesë nga Verdhekaltrit.

Prandaj ky fakt mund ta shtyjë që t’i thotë “Po” Shqipërisë, ku luajnë disa futbollistë të njohur kosovarë.

“Mua nuk më ka ftuar Përfaqësuesja A e Kosovës. Kam marrë ftesë veç nga Kosova U-21 për ndeshjet e marsit. Unë do të vendosë brenda 2-3 ditëve pasi sot jam i koncentruar te ndeshja kampionale që e kemi me Genkun. Shumë shpejt do të dal me një qëndrim”, ka vazhduar mesfushori ofanziv.

FFK-ja s’do të rrijë duarkryq

Nga ana tjetër, krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk e kanë ndërmend të rrinë duarkryq për rastin e Zhegrovës.

Ata kanë paralajmëruar se do të takohen me homologët nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) me të cilët do të diskutojnë rreth ftesës që e mori së fundmi Zhegrova nga Kuqezinjtë.

Në FFK thonë se talenti është në planet e Kosovës për të ardhmen dhe se do të mundohen ta mbrojnë atë.

Edoni e realizoi ëndrrën në Belgjikë

Pak muaj më parë Zhegrova debutoi në ekipin e parë të Genkut në ndeshje me Gentin.

18-vjeçari ndihet i lumtur që i është realizuar ëndrra, ndërsa synim i tij afatshkurtër është që të zërë vend rregullisht në ekipin e parë.

“Ndihem shumë mirë, jam i lumtur që e kam realizuar ëndrrën të debutoj, të luaj, të bëhem futbollist profesionist. Shpresoj të kem sa më shumë minuta këtë sezon. Sa u përket synimeve, së pari do të mundohem të marr minutazh sa më shumë, pastaj të fitoj sa më shumë lojë me Genkun”, ka vazhduar Edoni.

Ai ndihet mirë që e ka familjen afër, pasi thotë se për të ka rëndësi të madhe përkrahja e familjes, kur dihet mentaliteti i shqiptarëve në përgjithësi dhe lidhja e tyre e ngushtë me familjen.

Ndër të tjera Edoni synon të bëjë paraqitje sa më të mira me Genkun, pasi tregon se janë disa klube të mëdha evropiane që janë duke e përcjellë.

Edon Zhegrova është njëri prej futbollistëve të paktë në Kosovë që e pati fatin të depërtojë në futbollin evropian.

Ai ndihet me fat që i është dhënë kjo mundësi jetësore, të cilën synon ta shfrytëzojë në maksimum.

Në fund ai i ka falënderuar klubet e tij të mëparshme, Flamurtarin dhe Prishtinën, ku ka kaluar mjaft mirë, për gjithçka që i kanë dhënë, me shpresën se do t’ua zbardhë fytyrën atyre, por edhe krejt Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi me karrierën që do ta bëjë në Evropë.

Ishin pikërisht paraqitjet e tij në këto dy klube, sidomos te Bardhekaltrit e rinj ato që ia mundësuan depërtimin në futbollin me peshë. Ai ishte njëri prej talenteve më të mëdhenj të prishtinasve. /Zëri/