Na zbardhën fytyrën!

Sport January 22, 2018 - 10:19

Sporti kosovar gjendet në krizë të thellë financiare dhe me mungesë të rezultateve ndërkombëtare, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo këtu bën përjashtim xhudoja, e cila po i sjell suksese të njëpasnjëshme nga jashtë Kosovës.

Fundjavën që e lamë pas ishte mjaft e pasur për këtë sport luftarak. Tre garuesit kosovarë fituan medalje në “Grand Prix”, që u mbajt në Tunizi.

Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë, ndërsa me të argjendtën u stolisën Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova.

Akili i argjendtë

Akil Gjakova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke shkuar deri në finale, me ç’rast e fitoi medaljen e argjendtë në Tunizi.

Në xhiron e parë në kategorinë 73 kilogramë ai e mposhti garuesin nga Botswana, Thato Lebang, ndërsa në atë të dytë ishte më i mirë se britaniku Daniel Powell.

Në rrethin e tretë Gjakova ia doli të triumfojë përballë japonezit Yuhei Yoshida për të shkuar në gjysmëfinale.

Edhe në këtë fazë ai ishte superior duke e eliminuar uzbekun Mirzokhid Farmonov.

Megjithatë, Akili u dorëzua në finale përballë kazakut Zhansay Smagulov.

Sidoqoftë, kjo nuk e zbeh aspak suksesin e tij.

“Medalja e parë në konkurrencën e meshkujve, e argjendta e Akilit sot shkëlqen si ari. Nora, Disi e Akili edhe pa prezencën e kampiones olimpike Majlinda Kelmendi performuar bukur dhe e nisën me sukses këtë vit”, ka shkruar trajneri Driton Kuka në “Facebook”.

Image

Nora e artë, Distria e argjendtë

Krahas Akilit, paraprakisht medalje Kosovës i kishin sjellë edhe dy xhudistet e njohura kosovare, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Gjakova, që është motra e Akilit, e fitoi medaljen e artë pasi ishte e pakonkurrencë në kategorinë 57 kilogramë dhe në finale e mposhti jugkoreanen Youjeong Kwon.

Kurse Distria shkoi deri në finale dhe në fund e fitoi të argjendtën në 52 kilogramë, pasi në luftën për të artën u dorëzua përballë brazilianes Jessica Pereira.

Kuka: Suksesi më i madh i shtetit tonë në “Grand Prix”

I gëzuar me medaljet e fituara është shfaqur edhe trajneri Driton Kuka, sipas të cilit ky është një sukses për mbamendje pasi s’kishte ndodhur më parë që garuesit e tij t’i rrëmbenin tri medalje në po të njëjtin eveniment si ky.

“Suksesi më i madh i shtetit tonë në ‘Grand Prix’ deri më tash. Një e artë dhe dy të argjendta”, ka vazhduar Kuka.

“Medalja e parë në Kupën Botërore – ‘Grand Prix’ për Kosovën për meshkuj. Bravo dhe krenar me rezultatin e vetëm për Kosovën në këtë nivel. Faktikisht, trajneri i Akilit (Kuka) në vitin 1991 e kishte fituar medaljen e bronztë në Kupën Botërore dhe u deshën plot 27 vjet për të arritur te medalja tjetër”, përfundoi Kuka.

Të tre garuesit i arsyetuan edhe një herë ambiciet e tyre për të shkuar në Olimpiadën e Tokyos dhe pse jo t’ia sjellin Kosovës edhe ndonjë medalje nga Japonia. /Zëri/