Jeni larg profesionalizimit

Sport January 20, 2018 - 14:40

Arago Jamal është njëri ndër lojtarët më cilësorë prej futbollistëve të huaj që kanë luajtur deri më tani në Kosovë. Mirëpo futbollisti afrikan kishte eksperiencë të shkurtër tek Gjilani në vitin 2016. Ai ishte larguar nga vendi ynë për shkak se nuk ia kishte mbushur syrin futbolli kosovar. Ai thotë se futbolli në Kosovë ka qasje të gabuar. Ish-reprezentuesi i ekipit U-21 të Ganës thotë se do të kthehej në Kosovë sikur futbolli kosovar të lëvizte diç më përpara

Arago Jamal është njëri prej futbollistëve më të mirë të huaj që kanë shkelur në futbollin e pasluftës në Kosovë. Futbollisti afrikan ka luajtur një kohë të shkurtër në Superligë, respektivisht tek Gjilani, por vendosi të largohej prej vendit tonë.

Në fakt, futbolli i këtushëm nuk e bindi fort pasi konsideroi se i përkiste një niveli më të lartë. Ai ishte i rrallë në këtë aspekt pasi në shumicën e rasteve janë klubet kosovare ato që i lirojnë futbollistët e huaj, të cilët nuk ua mbushin syrin, shkruan "Zëri".

Janë qindra futbollistë të huaj që kanë luajtur në futbollin kosovar në dy dekadat e fundit, por asnjëri prej tyre nuk ka lënë gjurmë të pashlyeshme pasi eksperiencat e tyre në futbollin e këtushëm ishin të shkurtra. Disa prej tyre e përdornin futbollin kosovar edhe si një trampolinë për të kaluar në liga më të forta evropiane.

Klubet kosovare kanë qasje të gabuar

Jamal ka mbetur i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me futbollin kosovar. Ai mendon se këtij të fundit i mungon profesionalizmi dhe nuk mendon të rikthehet në Kosovë derisa nuk ndryshojnë gjërat. Ndërkohë, e pranon se është kontaktuar kohëve të fundit nga drejtuesit e klubeve kosovare, të cilët duan ta kenë në gjirin e tyre, duke e pasur parasysh kualitetin e tij.

“Nga Kosova kam kujtime të mira. Edhe pas largimit tim kam marrë oferta nga disa klube kosovare, por qasja e tyre është e gabuar. Unë jam futbollist profesionist dhe vendosi për ofertën më të mirë, prandaj tifozët duhet ta pranojnë këtë”, ka thënë futbollisti ganez për “Zërin”.

Kthehet nëse futbolli kosovar ecën përpara

Megjithatë, 24-vjeçari nuk ia ka mbyllur përfundimisht dyert futbollit kosovar. Ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të kthehet, por vetëm me kusht, që niveli i futbollit të këtushëm të dallojë nga ai aktual.

“Më kanë kërkuar disa klube kosovare, por për momentin nuk mund të vij. Nëse ndonjë ekip me qasje profesioniste ma jep ofertën që më pëlqen mendoj se mund të vij dhe të luaj prapë në Kosovë”, vazhdoi ai.

Luajti për Ganën

Jamal është lojtar mjaft cilësor dhe këtë e vërtetojnë numrat dhe faktet. Në fakt, ai vite më parë konsiderohej si njëri ndër shpresat më të mëdha të këtij vendi afrikan. Madje, 24-vjeçari para pak vitesh kishte luajtur për ekipin U-20 të Kombëtares së Ganës.

Jamal kishte luajtur për ganezët në kualifikimet e Kampionatit Afrikan për të Rinj 2013, ndërsa dështoi të kalonte në ekipin A të Përfaqësueses së Ganës për shkak të një lëndimi.

Ndërkaq, pas eksperiencës që e kishte në vitin 2016 tek Gjilani futbollisti i krahut të majtë që luan në mesfushë, por edhe në mbrojtje, e kishte vazhduar karrierën në futbollin finlandez, respektivisht në ekipin AC Kajaani, pjesë e të cilit është edhe tash.

Fillimisht para se të luante në Evropë kishte luajtur në ekipin ganez Berekum Chelsea. Ai e kishte një eksperiencë të shkurtër edhe në ekipin holandez FC Twente. /ZËRI/