Skijojnë mbi rregullore!

Sport January 20, 2018 - 12:59

Sporti i skitarisë në Kosovë, sikurse shumë sporte të tjera, gjithnjë përballet me probleme të ndryshme, të cilat burojnë kryesisht si pasojë e krizës financiare dhe infrastrukturore.

Mirëpo së fundmi problemet në këtë sport veç çka janë shtuar shkaku i mospajtimeve ndërmjet drejtuesve të Federatës së Skitarisë së Kosovë (FSK) dhe dy klubeve, Prishtinës dhe Boreas, shkruan "Zëri".

Këto dy klube kishin hequr dorë nga pjesëmarrja në dy garat e mbajtura në fillim të këtij viti në Bord, përkatësisht nga “Kupa Argjena” dhe nga “Dëshmorët e Kombit” me pretendimin se FSK-ja i ka shkelur rregulloret e garave duke i favorizuar qëllimshëm disa klube dhe duke i dëmtuar Prishtinën dhe Borean.

Sipas Prishtinës, garat nuk janë zhvilluar konform rregulloreve dhe statutit të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), me ç’rast janë favorizuar ata që nuk u janë përmbajtur rregullave dhe janë dëmtuar ata që i kanë respektuar të njëjtat rregulla.

Prishtina thotë se FSK-ja i ka në fuqi rregulloret e përpiluara konform atyre të FIS-it, por qëllimshëm nuk i ka respektuar, madje as pa e kërkuar ndryshimin e tyre nga organet e shtëpisë së skitarisë kosovare.

Prandaj, klubi nga kryeqyteti ka kërkuar anulimin e garave të zhvilluara më 13 dhe më 14 janar dhe ka kërkuar nga FSK-ja t’u përmbahet rregulloreve të miratuara nga Kuvendi i FSK-së, shkruan tutje "Zëri".

Po ashtu, prishtinasit kërkojnë edhe ndëshkimin e shkelësve të rregulloreve. Këto kërkesa janë dërguar në FSK, në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në Ministrinë e Sportit. Ndërsa FSK-ja ka pranuar se ka bërë lëshime.

Por, ka thënë se ka qenë e detyruar t’i bëjë ato lëshime për shkak se Kosova nuk ka mundësi të organizojë gara konform rregulloreve të FIS-it.

FSK-ja thotë se duke e parë gjendjen e klubeve, që janë në rrezik për t’u shuar, ka vendosur që t’ua lehtësojë kushtet e pjesëmarrjes në gara, duke ua kërkuar kushtin elementar – posedimin e skive dhe të kokoreve. /ZËRI/