Transferimet ndërmjet rivalëve

Sport January 20, 2018 - 12:11

Alexis Sanchez është duke refuzuar rinovimin e kontratës me Arsenalin dhe largimi i tij është shumë afër. Kiliani pritet që të transferohet në drejtim të rivalit të Arsenalit, Manchester United. Por, transferimet ndërmjet rivalëve nuk janë edhe aq të panjohura në Angli. Ua sjellim disa prej transferimeve më të mëdha ndërmjet klubeve rivale

E ardhmja e Alexis Sanchezit duket larg Arsenalit, por jo edhe larg Anglisë. Kiliani pritet të transferohet në drejtim të rivalit Manchester United. Por, sa shpesh ndodh kjo në Premierligën angleze?

E përditshmja angleze “Daily Mail” sjell disa prej transferimeve të papritura që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit ndërmjet rivalëve të ligës angleze, përcjell "Zëri". 

Carlos Tevez - prej Manchester Unitedit te Manchester City (2009)

Image

Pa dyshim njëri prej transferimeve më kontroverse. Tevez u përshëndet nga njëra anë e qytetit për t’iu bashkuar anës tjetër, ku ishte mirëpritur me billborde. Transferimi i parë ndërmjet dy klubeve prej vitit 1999. Ky ishte momenti kur Manchester City filloi rrugëtimin ku gjendet sot. Tevez e ndihmoi klubin për ta fituar Premierligën e parë në histori gjatë edicionit 2011/2012.

Emanuel Adebayor - prej Arsenalit te Manchester City (2009)

Adebayor ishte duke bërë paraqitje të jashtëzakonshme me Arsenalin dhe ishte kërkuar nga shumë klube evropiane. Manchester City bëri ofertë dhe bindi Arsenalin ta shesë sulmuesin. Transferimi ishte bërë kontrovers në mënyrën sesi ai festoi golin e tij të parë kundër Arsenalit, duke vrapuar nga tifozët e klubit londinez dhe duke festuar para tyre. Dështoi të përshtatej dhe ishte huazuar te Tottenhami para se të shitej pikërisht te klubi londinez në vitin 2012.

Fernando Torres - prej Liverpoolit te Chelsea (2011)

Torres kishte fituar zemrat e tifozëve të Liverpoolit, por forma e tij në edicionin 2010/2011 kishte rënë për shkak të lëndimeve. Chelsea kërkonte shumë transferimin e tij dhe në fund edhe e bindi Liverpoolin për shitjen e tij për 50 milionë funtesh, shkruan "Zëri". Transferimi u bë ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Por, spanjolli dështoi që të ambientohej te Chelsea. Sidoqoftë, ai shënoi një gol të rëndësishëm kundër Barcelonës në rrugëtimin e Chelseat drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2012.

Robin Van Persie - prej Arsenalit te Manchester United (2012)

Holandezi ishte kthyer në një sulmues që realizon 30 gola në edicion gjatë sezonit 2011/2012. Ai ishte i jashtëzakonshëm, duke shënuar lloje të ndryshme të golave. Për Sir Alex Fergusonin kjo do të thoshte që ai ishte sulmuesi ideal për të rrëzuar nga froni Manchester Cityn, që e fitoi ligën atë vit. Shkoi te “djajtë e kuq” dhe shënoi 26 gola për ta ndihmuar rrugëtimin e tyre drejt titullit të kampionit.

Petr Cech - prej Chelseat te Arsenali (2015)

Cech ishte një yll te Chelsea, por rikthimi i Thibaut Courtois nga huazimi te Atletico Madridi e bëri atë zgjedhje të parë te klubi londinez. Me bekimin e pronarit të Chelseat Roman Abramovich, Cech ishte lejuar që të shkonte te Arsenali. Shumëkush e shihte si rrezik që mund ta ndihmonte shumë Arsenalin, por nuk ka qenë portieri i njëjtë si në “Stamford Bridge”. Në edicionin e tij të dytë Arsenali ra nga top-katërshja.

Nemanja Matic - prej Chelseat te Manchester Unitedi (2017)

Ishte një befasi që Antonio Conte deshi t’i ndajë rrugët me Maticin. Në skenë doli Jose Mourinho që e transferoi mesfushorin. Matic ka qenë lojtar kyç deri më tani për “djajtë e kuq”.

Futbollistët e tjerë që janë transferuar ndërmjet rivalëve gjatë dekadës së fundit janë edhe: Kolo Toure - prej Arsenalit te Manchester City (2009) - prej Manchester Cityt te Liverpooli (2013). Yossi Benayoun - prej Liverpoolit te Chelsea (2010). Raul Meireles - prej Liverpoolit te Chelsea (2011). Samir Nasri - prej Arsenalit te Manchester City (2011). Juan Mata - prej Chelseat te Manchester United (2014). Danny Welbeck - prej Manchester Unitedit te Arsenal (2014), James Milner - prej Manchester Cityt te Liverpool (2015). Raheem Sterling - prej Liverpoolit te Manchester City (2015), Kyle Walker - prej Tottenhamit te Manchester City (2017), Alex Oxlade-Chamberlain - prej Arsenalit te Liverpool (2017). /ZËRI/

Image