Pse Shala, Kozniku e Hasi nuk ftohen për ta udhëhequr kombëtaren e Kosovës?

Sport January 19, 2018 - 19:25

Opinioni sportiv sidomos ai futbolldashës me padurim presin ta mësojnë emrin e përzgjedhësit të ri të Kombëtares së Kosovës.

Muharrem Sahiti aktualisht e kryen punën e përzgjedhësit të përkohshëm, deri në emërimin e të riut. Duhet kujtuar se, Sahiti ka qenë si sulmues jashtëzakonisht i mirë dhe ka luajtur për Prishtinën në elitën e futbollit ish-jugosllav.

Cili do të jetë pasardhësi i Albert Bunjakut? Kosova ka një numër të madh të trajnerëve të dëshmuar, por edhe ish futbollist që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në të kaluarën.

A do të ishte e rrugës që t’i jepet mundësia që ta drejtojnë kombëtaren e Kosovës, si Kujtim Shala, Ardian Kozniku dhe Besnik Hasi!

Sepse janë tre emra të respektuar në botën e futbollit. Janë tre emra që gëzojnë reputacion të madh në arenën ndërkombëtare.

Shala, Kozniku e Hasi, do të ishte një pasuri që të jenë në kombëtaren e Kosovës, pavarësisht se cili nga këta do të ishte përzgjedhës dhe ndihmës të njëri – tjetrit.

Pa dyshim se do të ishte një treshe e respektuar dhe do t’i jepte edhen një bukuri vetë kombëtares.

Kujtim Shala, ish futbollist i mirënjohur, i takon plejadës së artë të Prishtinës (viteve të 80-ta), ka luajtur edhe në Liri të Prizrenit, Partizan të Beogradit, Dinamo të Zagrebit, në Bundesliga I me Fortuna Dyseldorfin etj. bile ka qenë shqiptari i parë që luajti një ndeshje miqësore për kombëtaren e Kroacisë në përballje me SHBA-të dhe pas luftës ka qenë trajner një periudhë në FC Prishtina.

Shala është tejet i respektuar në Kroaci sikurse edhe Ardian Kozniku, shkruan Bota Sot.

Kozniku ish futbollist i shquar, që luajti për Vëllaznimin e Gjakovës, Prishtinën, Hajduk Splitin, Dinamo Zagrebin, Cannes, Le Havre, Bastia, si dhe ishte anëtar i kombëtares së Kroacisë, me të cilën fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në vitin 1998 në Francë, pastaj një kohë trajner i Shkëndijes.