Kuqezinjët nuk e lejojnë Gashin te Vëllaznimi sepse ishte 'Plis', reagon sulmuesi

Sport January 19, 2018 - 17:27

Dren Gashi nuk do të jetë pjesë e Vëllaznimit në pranverë, për shkak se kundër tij kanë dalë Kuqezinjët e Jakovës.

Sulmuesi prishtinas ka konfirmuar lajmin për gazetën, duke e quajtur këtë si mëkat të madh.

Ai ka thënë që nuk ka qenë pjesë e Plisave, kur tifo-grupi prishtinas ka pasur probleme me Kuqezinjët e Jakovës.

“U prishëm me Vëllaznimin për shkak se tifozët Kuqezinjët e Jakovës nuk kanë rënë dakord të jem pjesë e klubit. Ata mendojnë që unë jam ende Plis. Për këtë arsye nuk kanë dashur që unë të kalojë te Vëllaznimi”, deklaroi Gashi për Gazetën Olle.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me mua sepse unë nuk jam pjesë e Plisave prej që jam inkuadruar në Superligë. E kam simpatizuar Prishtinën, por nuk kam marrë pjesë në asnjë problem”.

“Nuk dua të kem probleme as me Kuqezinjët e as me ndonjë tifozëri tjetër. Është mëkat që për këtë arsye të mos jem pjesë e Vëllaznimit”, shtoi ai.