Skyfter Blakaj: Magjia e Ronaldinhos!

Sport January 19, 2018 - 15:16

Komentatori i njohur, Skyfter Blakaj, shkruan rreth pensionimit të Ronaldinhos

Ronadinho Gaucho, njeri prej lojtarëve të vetëm në histori, që përveç momenteve të panumërta të magjisë,  i dhuroi botës së futbollit edhe buzëqeshje, më në fund është tërhequr nga futbolli aktiv.

Braziliani është larguar nga futbolli pas një karriere të jashtëzakonshme por talenti i tij nuk do të harrohet kurrë.

Vetëm ta përmendësh emrin e tij, menjëherë të ndritet fytyra me buzëqeshje.

Ndërkohë po të mendosh për gjërat që ai i bënte në fushë dhe mënyrën se si i bënte ato shpirti të buzëqesh.

Lojtari që në kulmin e karrierës e ngriti në këmbë tërë publikun e Santiago Bernabeut për ta aplauduar.

Derisa Sergio Ramos ishte i shtrirë në fushë, publiku ishte në këmbë duke duartrokitur golin e rivalit të përjetshëm, Barcelonës dhe gjeniut që e shënoi atë, Ronaldinhos.

Ndoshta do të mbahet në mend si lojtari i vetëm në histori që e shëndrronte lojën në kënaqësi për të gjithë tifozët.

‘E dua topin’ – ishte një prej fjalëve të tij që të lë të kuptosh se për cfarë lojtari bëhet fjalë.

Buzëqeshja nuk ishte në fytyrën e tij vetëm pasi që e kishte fituar kampionatin botëror, ligën e kampionëve, La Ligën dhe topin e artë.

Ajo buzëqeshje ishte në fytyrën e tij edhe derisa ai po i fitonte ato gara.

Image

Lojtari që me elegancën e tij në fushë e nxiti ringjalljen e Barcelonës, që deri atëherë ishte duke kaluar nëpër një periudhe tepër të dobët.

Me ardhjen e brazilianit në Camp Nou u rikthye edhe loja e bukur apo ‘joga bonito’ sic njihet në vendlindjen shpirtërore të futbollit në Brazil.

Dhe natyrisht me ardhjen e Ronaldinhos në Camp Nou u rikthyen edhe rezultatet.

Sot, kur përmendet emri i Barcelonës është vështirë të paramendohet diqka tjetër përveq standardit të artë në botën e futbollit por para hiq më larg se 15 viteve situate në klubin katalunas ishte krejtësisht tjetër.

Pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve pas një edicioni tejet të dobët në La Liga dhe në borxhe të mëdha, bordi i sapoemëruar nuk kishte arritur që ta transferojë ndonjë emër të madh të futbollit dhe ishte shumë afër kolapsit total.

Në këtë fazë kur Lionel Messi ishte vetëm një lojtar premtues në La Masia, Barcelona, përkundër problemeve më të mëdha në dekadat e fundit, arriti që të e transferojë futbollistin më të rëndësishëm për klubin që prej vitit 1973 kur e kishte transferuar holandezin e famshëm Johan Cruyff.

Nën udhëheqjen e brazilianit në fushë Barcelona u shpall kampion i Spanjës dy herë rradhazi me 2005 dhe 2006 dhe e fitoi titullin e dytë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit, 14 vjet pas golit të famshëm të Ronald Koeman kundër Sampdorisë në finalen e Uembllit.

Ronaldinho pati 207 paraqitje dhe shënoi 94 gola në 5 vitet sa ishte te Barcelona por ndoshta tepër më i rëndësishëm se sa golat e tij ishte ndikimi në ringjalljen e gjigantit katalunas.

Para Ronaldinhos, Barcelona ishte duke kaluar nëpër një periudhë kur mesi i tabelës ishte shëndrruar në gjë normale.

Prej vitit 2003 Barcelona është shpallur tetë herë kampion në Spanjë, e ka fituar ligën e Kampionëve 4 herë dhe kupën e mbretit 5 herë.          

Derisa ishte në kulmin e karrierës së tij Ronaldinho ishte në fokus të një reklame, ku ai shihej duke e marrë topin dhe duke e qëlluar transverzalen katër herë rresht pa e lënë topin të bije në tokë.

Natyrisht e tëra ishte montazhë por vetë fakti se njerëzit ishin në gjendje të besonin se Ronaldinho mund të bënte një gjë të tillë e dëshmon aftësinë e papërsëritshme të brazilianit.

Pra, goditja e shtyllës pingule katër herë rradhazi pa e lënë topin të prekë në tokë nuk ndodhi por ovacioni në Bernabeu ndodhi.

Edhe goli që përfundoi në portën e Sevillës si projektil, gjithashtu ndodhi.

Goli kundër Milanit të Maldinit, Nestës, Gatuzos e Didës pastaj goli kundër Chelseat në Stamford Bridge.

Ishte sikur dikush ta kishte shtypur butonin e pauzës dhe për tre-katër sekonda të gjithë ishin ndalur përveq meje - kishte deklaruar Ronaldinho pas asaj ndeshjeje në Londër.

Legjenda e futbollit Brazilian Tostao e kishte përshkruar më së miri talentin e tij duke thënë:

Ronaldinho e ka aftësinë e driblimit të Rivelinjos, vizionin e Gerson, shpirtin dhe lumturinë e Garrinchas, shpejtësinë dhe fuqinë e Ronaldos, aftësinë teknike të Zicos dhe kreativitetin e Romarios.

Lojtari i vetëm në histori të futbollit që ende pa e prekur topin e vendoste buzëqeshjen në fytyrën e cdo tifozi, e ajo që ndodhte pasi që ai e merrte topin është dëshmi se magjija nuk ekziston vetëm në librat e mbretit Artur dhe magjistarit Merlin.

Ronaldinho e paralajmëroi tërheqjen e tij nga futbolli aktiv në moshën 37 vjecare duke e lënë skenën pa magjistarin më të madh.