Drilon 'Samuraji'

Sport January 18, 2018 - 12:23

Drilon Hajrizi është bërë “Samuraji”. Basketbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin japonez Kanazawa Samuraiz, ngjyrat e të cilit do t’i mbrojë deri në fund të sezonit. Mitrovicasi bëhet basketbollisti i parë shqiptar që luan në kampionatin japonez. 27-vjeçari ndihet i lumtur që i është bashkuar këtij klubi dhe premton se do ta japë maksimumin. E japonezët e mirëpritën atë me një tortë, duke e prezantuar zyrtarisht në klubin e tyre pikërisht për ditëlindje. Driloni po ndihet si në shtëpi!

Drilon Hajrizi e ka thyer akullin. Mitrovicasi është bërë basketbollisti i parë shqiptar që do të luajë në basketbollin japonez, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-basketbollisti i Trepçës, i Pejës dhe së fundmi i Sigal Prishtinës do t’i mbrojë ngjyrat e klubit Kanazawa Samuraiz së paku deri në fund të sezonit.

Klubi japonez e ka prezantuar zyrtarisht përfaqësuesin kosovar pikërisht më 17 janar, në ditëlindjen e tij.

Japonezët e kanë mirëpritur “Samurajin” më të ri, të cilit i kanë uruar suksese gjatë eksperiencës atje.

“‘Kanazawa Bushi Group’ njofton se ka arritur marrëveshje me Drilon Hajrizin për t’i mbrojtur ngjyrat e klubit tonë në sezonin 2017/18”, shkruan në njoftimin e klubit aziatik.

“Ne ndihemi të inkurajuar sepse lojtarët që kanë eksperiencë me kombëtaret e tyre si rasti i Hajrizit ndikojnë po ashtu pozitivisht në bashkimin në mes lojtarëve dhe ky është një plus për të”, ka shtuar klubi japonez.

Image

Në Japoni si në shtëpi

Hajrizi po ndihet mjaft mirë në Japoni. Ai thotë se është pritur ngrohtë nga vendësit dhe po e shijon këtë periudhë.

Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që mitrovicasi e viziton këtë vend aziatik.

“Falë njerëzve të këtushëm po ndihem si në shtëpi. Unë e pëlqeja Japoninë që nga eksperienca ime e parë kur e kisha vizituar këtë vend me familjen time”, është shprehur fillimisht Hajrizi për uebfaqen zyrtare të klubit.

Premton suksese

Hajrizi po konsiderohet si një transferim i madh në klubin e tij.

Për këtë basketbollisti kosovar thotë se do të mundohet t’ua shpaguajë besimin japonezëve.

Ndërkohë, ai ka zbuluar se kishte refuzuar oferta tjera nga Evropa vetëm për të shkuar në Japoni.

“Jam i nderuar që do të jem pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm. Unë jam i lumtur që vendosa t’i bashkohem Kanazawas, ndërkohë që refuzova oferta nga klubet profesioniste evropiane. Do t’i shfaq të gjitha aftësitë e mia në këtë ekip. Së bashku me stafin e shkëlqyer të trajnerëve dhe të bashkëlojtarëve do të vazhdojmë të ushtrojmë fort dhe do ta bëjmë më të mirën për t’i arritur objektivat tanë dhe premtoj se do të mundohemi që të sjellim rezultate pozitive. Së bashku me ekipin dhe të tjerët do të mundohemi ta bëjmë krenar këtë klub”, ka shtuar Hajrizi.

Image

Hajrizi është i gjatë 203 centimetra dhe peshon 108 kilogramë.

Ai luan në pozitat 2 dhe 3, ndërsa shquhet për saktësinë e tij.

Ishte deri vonë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, por mungoi në ndeshjet e fundit pasi ishte suspenduar nga trajneri Brad Greenberg, me të cilin ishte fjalosur paraprakisht.

Përndryshe, Hajrizi është njëri prej basketbollistëve më të mirë të Kosovës në dekadën e fundit.

Kulmin e kishte arritur te Trepça, ndërsa formë të mirë shfaqi edhe në Pejë, derisa ishte paksa më i zbehtë në Prishtinë.

Sidoqoftë, ai u largua nga Bardhekaltrit si pjesa dërrmuese e ekipit dhe në ditët në vazhdim do të nisë pjesa e dytë e sezonit në Japoni kur edhe pritet debutimi i Hajrizit me ekipin e ri. /Zëri/