1-milionëshi i Kosovës

Sport January 18, 2018 - 12:18

Futbollistëve kosovarë po u rritet vlera ditë pas dite, shkruan sot gazeta Zëri.

Paraqitjet mbresëlënëse me ekipet përkatëse dhe me Përfaqësuesen e Kosovës kanë bërë që lojtarët Verdhekaltër të pëlqehen nga klube të ndryshme evropiane, të cilët po i vëzhgojnë me kujdes.

Rasti i fundit është ai i Hekuran Kryeziut, i cili është njëri prej futbollistëve më të përfolur kosovarë të janarit.

Sipas medieve zvicerane, raporton zeri.info, mesfushori organizativ kosovar mund të largohet nga futbolli helvetik qysh këtë muaj.

Në fakt 24-vjeçari ka kontratë me Luzernin deri në verë të këtij viti, por klubi zviceran po planifikon ta shesë atë në afatin kalimtar të janarit, pasi gjatë verës do ta humbte pa e nxjerrë asnjë cent.

Qysh verën e kaluar Luzerni kishte paralajmëruar se përfaqësuesi kosovar do të mundë të transferohej jashtë Zvicrës.

Atë e kërkonte Lazio dhe drejtori sportiv Igli Tare ishte duke punuar në këtë drejtim, por në fund transferimi dështoi.

Sidoqoftë, klubi nga Superliga zvicerane e ka vendosur çmimin për mesfushorin kosovar.

Mediet zvicerane shkruajnë se vlera e tij në treg momentalisht është rreth 1 milion euro.

“Është e qartë se lojtari duhet ta gjejë rrugën e suksesit dhe të transferohet në një klub nga kampionatet më të mira evropiane”, shkruajnë mediet zvicerane.

Në të kundërtën, nëse nuk ka ndonjë ofertë konkrete, Kryeziu mund të vazhdojë të luajë në Luzern deri në fund të këtij sezoni dhe më pas ta kërkojë ekipin e ri, një version i cili nuk do t’i konvenonte fare Luzernit, pasi lojtari do të largohej “falas”.

Së fundmi në garë për Kryeziun është futur skuadra nga Serie A, Sampdoria.

Kështu të paktën kanë shkruar mediet italiane, sipas të cilave, klubi nga Genova e do lojtarin qysh në janar ose eventualisht gjatë verës pasi po mendon të përforcohet për garat evropiane.

Kryeziu është lojtar i rëndësishëm i Përfaqësueses së Kosovës. /Zëri/

Image

Foto: Driton Bublaku