Besa ka arsye të gëzohet

Sport January 18, 2018 - 12:03

Më në fund, Besa po sheh dritë në fund të një tuneli. Klubi pejan i ka dhënë fund krizës që e ka përshkuar së fundmi dhe tash po sheh dritë, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi është konsoliduar me kryesi të re, së cilës do t’i prijë kryetari i sapoemëruar Mustafë Nila.

Një pjesë e futbollistëve “ishin rebeluar” dhe nuk kishin pranuar të luanin për ekipin Bardhekuq në xhirot e fundit të kampionatit shkaku i moskryerjes së obligimeve financiare nga ana e kryesisë së shkuar ndaj tyre.

Njëri prej tyre ishte edhe Fetim Kasapi.

E lajmi për ndryshimet pozitive në klubin nga Rrafshi i Dukagjinit e ka gëzuar më së shumti sulmuesin e rrezikshëm, i cili së bashku me shokët i janë kthyer klubit dhe po mendojnë për pjesën e dytë të sezonit.

“Përshëndetje të gjithëve, shoqëri, tifozë dhe dashamirës të futbollit. Desha t’ju njoftoj si kapiten i ekipit Besa se tashmë kriza financiare dhe organizative ka përfunduar në klubin tonë. E gjithë kjo falë angazhimit të pashoq të kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherit dhe kryetarit të ri të klubit Mustafë Nila”, ka thënë veterani i sulmit.

Sipas tij, me këto ndryshime klubi do të këndellet edhe në aspektin sportiv, pasi skuadra pejane e mbylli stinorin vjeshtor në pjesën e poshtme të tabelës dhe rrezikon të bjerë nga Superliga për herë të parë pasluftës.

“Kryetari i Pejës pasi e pa që klubin e kishte kapluar kriza e madhe veproi në qetësi duke i larguar të gjithë ata që nuk mund t’i bënin ballë përgjegjësive të klubit dhe duke afruar njerëz të cilët do ta kthejnë klubin në vendin ku i takon, si një ndër klubet më të suksesshme në Kosovë. I falënderoj të gjithë ata që po i marrin mbi supet e tyre përgjegjësitë e udhëheqjes së klubit në këtë kohë të vështirë për klubin”, ka shtuar Kasapi.

Ai e ka falënderuar edhe kryesinë e kaluar për kontributin që e ka dhënë.

Do t’i arrijmë objektivat

Besa e mbylli pjesën e parë të sezonit në pozitën e 10-të në tabelën e Superligës me vetëm 13 pikë të grumbulluara, duke rrezikuar seriozisht për të rënë nga liga.

Megjithatë, me përmirësimin e kushteve kapiteni pejan beson se ky klub do të ketë pamje krejt tjetër në pranverë dhe se do t’ia dalë të shpëtojë pa problem.

“Unë si kapiten i ekipit së bashku me lojtarët tjerë ju garantoj angazhim maksimal në qëllimin e objektivave të klubit”, ka përfunduar Kasapi.

Besa e zhvilloi stinorin pranveror kryesisht me futbollistë të rij dhe të papërvojë, gjë që reflektoi edhe me rezultatet më negative të regjistruara në futbollin e pasluftës nga kjo skuadër, e cila në vitet e para të pasluftës e dominonte futbollin kosovar dhe ishte shpallur tri herë kampione e Kosovës.

Besa, krahas Vëllaznimit, Drenicës, Vllaznisë e deri diku edhe Flamurtarit, ishte njëri prej klubeve që ishte në krizë gjatë vjeshtës. /Zëri/