Doktori abuzues seksual

Sport January 17, 2018 - 13:58

Ish-doktori sportiv i gjimnastikës së ekipit amerikan Larry Nassar vazhdon të akuzohet nga gjimnastet për abuzim seksual. E fundit që e vuri gishtin drejt tij është gjimnastja Simone Biles, e cila e ka zbuluar historinë rrëqethëse të saj. Nassar është dënuar me 60 vjet burg për historitë që lidhen me abuzime seksuale

Katër herë kampionia olimpike Simone Biles thotë se është abuzuar seksualisht nga ish-doktori sportiv i gjimnastikës i ekipit amerikan Larry Nassar, shkruan sot gazeta Zëri.

Në një postim emocional në rrjetin social “Twitter”, Biles, që ishte yll i Olimpiadës së Rios në vitin 2016, thotë se nuk dëshironte ta lejonte Nassar që t’ia merrte dashurinë dhe gëzimin.

Nassar është dënuar me 60 vjet burg për shkak të posedimit të fotografive me abuzime seksuale të fëmijëve dhe po ashtu për t’i ka pranuar ngacmimet seksuale ndaj gjimnasteve.

“E di se kjo eksperiencë e tmerrshme nuk më definon mua, unë jam shumë më shumë se kaq”, ka thënë 20-vjeçarja.

Tri ish-kampione olimpike amerikane e kanë akuzuar Nassarin për abuzime seksuale gjatë trajtimeve mjekësore, duke përfshirë këtu Gabby Douglas, e cila e kishte fituar medaljen e artë me Biles në evenimentin ekipor në Olimpiadën e Rios.

Nasser do të dënohet këtë muaj rreth dy rasteve tjera në të cilat ai i pranon abuzimet ndaj sportisteve.

54-vjeçari u dënua në dhjetor për tri raste që lidhen me fotografitë që ishin gjendur në kompjuterin e tij e që kishin të bënin me abuzime seksuale ndaj fëmijëve.

Avokatët e Nassarit i kanë thënë “BBC Sport” se nuk do t’i komentojnë deklaratat e Biles.

Federata e Gjimnastikës Amerikane përmes një njoftimi ka deklaruar se është zemërthyese ajo që e ka rrëfyer Simone Biles, ndërkohë që kjo Federatë ka kërkuar falje dhe ndihet e mllefosur që Biles apo ndonjë atlete tjetër amerikane ka qenë “viktimë” e akteve të tmerrshme të Larry Nassar.

Image

Historia rrëqethëse e gjimnastes

Gjimnastja Simone Biles nuk është ndalur me kaq. Ajo ka rrëfyer fije për pe për ato që i kishin ndodhur gjatë periudhës sa Nassar ishte mjek i ekipit.

“Unë jam njëra nga të mbijetuarat që është abuzuar seksualisht nga Larry Nassar”, ka shkruar sportistja nga Teksasi.

“Shumë prej jush më njihni si të lumtur, të buzëqeshur dhe një vajzë energjike. Por, së fundmi u ndjeva e thyer dhe sa më shumë që mundohem të mos flas, aq më keq ndihem. Nuk kam frikë më ta tregoj historinë time”, vazhdoi rrëfimin ajo.

“Është mjaft e vështirë t’i zbulosh ato eksperienca dhe ma thyen zemrën kur e mendoj se në vendin ku do të ushtroj për ta realizuar ëndrrën për të marrë pjesë në ‘Tokyo 2020’, jam abuzuar seksualisht”, nënvizoi ajo.

"Unë jam unike, e zgjuar, e talentuar, e motivuar dhe pasionante. I kam premtuar vetes se historia ime do të jetë më e madhe se kjo dhe ju premtoj të gjithëve se nuk do të dorëzohem kurrë. Unë e dua këtë sport shumë dhe nuk kam qenë kurrë më e qetë. Nuk dua ta lërë një njeri dhe të tjerët që mundohen të jenë si ai ta ndalë dashurinë dhe gëzimin tim”, përfundoi Biles.

Image

“Përbindëshi” Nassar

Nassar ishte përfshirë në programet e ekipit amerikan të gjimnastikës nga viti 1980 deri në korrik të vitit 2015 kur Komiteti Olimpik Amerikan e shkarkoi atë.

Më shumë se 130 femra kanë dhënë deklarata kundër tij për abuzime seksuale.

Kampionet olimpike amerikane Aly Raisman e McKayla Maroney janë dy prej atyre që e kanë sulmuar “përbindëshin” Nassar. /Zëri/