Celina e ka një porosi për Guardiolën!

Sport January 17, 2018 - 12:01

Bersant Celina ia ka dërguar një mesazh trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, pas golit të jashtëzakonshëm që e realizoi fundjavën që shkoi.

Përfaqësuesi kosovar ia siguroi fitoren Ipswichit ndaj Leedsit me golin e realizuar nga largësia, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo ishte një tjetër paraqitje mbresëlënëse e Celinës, i cili është i huazuar nga “Citizens” te klubi nga Championshipi anglez.

21-vjeçari shpreson që trajneri spanjoll i liderit të Premierligës ta shohë atë se çfarë është duke bërë me skuadrën aktuale dhe se çka është në gjendje të bëjë nëse rikthehet gjatë verës që vjen në “Ethiad Stadium”.

“Shpresoj që ai (Guardiola) ta ketë parë këtë”, ka thënë Celina pas fitores së fundit.

“Jam i sigurt se ai do ta shohë golin përmes televizorit. Shpresoj që do të impresionohet”, është shprehur futbollisti i rritur në Norvegji.

“Ishte një gol i bukur dhe jam mjaft i lumtur për veten, për ekipin dhe për tifozët. Ishte definitivisht njëri prej golave më të bukur që e kam shënuar si futbollist profesionist”, vazhdoi ai.

“Unë jam i lumtur tek Ipswichi dhe për ndeshjet që po i zhvilloj. Më duhet të angazhohem në katër muajt e ardhshëm dhe ta ndihmoj ekipin, të vazhdoj të luaj dhe të bëj mirë”, përfundoi ai.

Ndërkohë Celinën e ka lavdëruar së fundmi edhe trajneri i Ipswichit, Mick McCarthy, i cili ka thënë se futbollistit kosovar ia ka dhënë talentin Zoti.

“Këtë nuk mund t’ia jepni lojtarit, nuk mund t’i mësoni disa gjëra. I kam thënë se ai mund ta vendosë lojën që mund të jetë njeri i ndeshjes në ndeshje si kjo. Edhe në stërvitje ai gjithmonë e mban topin në këmbët e tij. Ai punon në ushtrime, por talentin ia ka falur Zoti”, është shprehur McCarthy për “BBC Radio Suffolk”.

Celina e kaloi sezonin e fundit si huazim tek Twente, ndërsa aktualisht është huazuar në Ipswich.

Ai shpreson që nga sezoni i ardhshëm të kthehet tek City dhe t’i jepet rasti në këtë klub anglez.

Celina së fundmi ishte pjesë e Përfaqësueses U-21 të Kosovës, por i ka zhvilluar disa ndeshje edhe me Përfaqësuesen A. /Zëri/