Transferimet fitimprurëse

Sport January 16, 2018 - 13:40

Philippe Coutinho së fundmi u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e Barcelonës. Klubi katalonjas pagoi 145 milionë funte për të, ndërsa Liverpooli përfitoi shumë nga braziliani, të cilin e kishte transferuar për vetëm 8.5 milionë funte në vitin 2013. Ua sjellim klubet të cilat kanë përfituar më së shumti nga shitja e futbollistëve të tyre.

Shifrat marramendëse të transferimit nuk kanë të ndalur gjatë ditëve të sotme, shkruan sot gazeta Zëri.

Philippe Coutinho, i cili së fundmi u transferua te Barcelona për 145 milionë funte, ishte marrë nga Liverpooli për vetëm 8.5 milionë funte nga Interi në vitin 2013.

“Daily Mail” sjell klubet të cilat kanë përfituar më së shumti nga shitja e lojtarëve të tyre. 

1. Barcelona – Neymar

Santos – Barcelona (2013), 49 milionë funte

Barcelona – PSG (2017), 198 milionë funte

Fitimi: 149 milionë funte

Transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit, Neymar, doli të jetë një përfitim i madh financiar për Barcelonën. Gjigandi spanjoll nuk është se e bleu lirë brazilianin në vitin 2013 për 49 milionë funte. Por pas shitjes së tij për 198 milionë funte verën e kaluar, katalonjasit përfituan plot 149 milionë funte.

2. Liverpool – Philippe Coutinho

Inter – Liverpool (2013), 8.5 milionë funte

Liverpool – Barcelona (2018), 145 milionë funte

Fitimi: 136.5 milionë funte

Reprezentuesi brazilian ishte nënshkruar nga Liverpooli për vetëm 8 milionë funte në vitin 2013 dhe është bërë njëri prej lojtarëve më të mirë në botë. Gjigandi anglez dëshironte shumë që ta mbante mesfushorin, duke refuzuar ofertën e Barcelonës gjatë afatit kalimtar të verës, por prapëseprapë ai përfundoi te klubi spanjoll. Liverpooli përfitoi 136.5 milionë funte të pastra nga kjo lëvizje.

Image

3. Juventus – Paul Pogba

Manchester United – Juventus (2012), falas

Juventus – Manchester United (2016), 89 milionë funte

Fitimi: 89 milionë funte

Paul Pogba vendosi të largohet nga “Old Trafford” për të luajtur rregullisht në vitin 2012, pasi që kishte dështuar për hyrë në ekipin e parë të “Djajve të kuq”. Ai pa dyshim që e përmbushi qëllimin e tij duke ndihmuar Juventusin që të fitojë katër herë radhazi titullin e ligës italiane. Francezi u kthye te ish-ekipi i tij në verë të vitit 2016, gjë e cila doli të ishte një përfitim prej 89 milionë funtesh.

4. Borussia Dortmund – Ousmane Dembele

Rennes – Borussia Dortmund (2016), 13.5 milionë funte

Borussia Dortmund – Barcelona (2017), 94.5 milionë funte

Fitimi: 81 milionë funte

Dembele kaloi vetëm një edicion te klubi gjerman duke realizuar 10 gola dhe 20 asistime në të gjitha garat. Barça e transferoi si zëvendësues të Neymarit. Përveç Dortmundit përfitoi edhe ish-klubi i tij, Rennes, që mori 25% të shumës së transferimit.

5. Tottenham – Gareth Bale

Southampton – Tottenham (2007), 10 milionë funte

Tottenham – Real Madrid (2013), 86 milionë funte

Fitimi: 76 milionë funte

Southampton mund të kishte qenë në një situatë të njëjtë me Rennesit, duke negociuar 25% të një shitjeje të ardhshme. Por klubi anglez, që kishte qenë atëkohë në kategorinë e tretë të futbollit, i kishte dhënë fund kësaj klauzole për një shumë prej 2 dhe 3 milionë funtesh plus shërbimet e portierit të ri, Tommy Forecast. Bale, i cili kishte qenë transferimi rekord në vitin 2013, ka qenë një përfitim prej 76 milionë funtesh për Tottenhamin. /Zëri/