Çka është fitorja?!

Sport January 16, 2018 - 13:37

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll nuk e di se çka është fitorja. Ekipi verdhekaltër assesi nuk po arrin të fitojë në arenën ndërkombëtare, ku ka dalë qe shumë vite. Madje “Dardanët” nuk po arrijnë të fitojnë as ndaj ekipeve që do të duhej t’i mposhtnin. Së fundmi Kosova humbi edhe nga Qiproja në kualifikimet për Botërorin e vitit 2019, në të cilat i humbi të tria ndeshjet. Më herët Kosova i ka humbur edhe katër ndeshje parakualifikuese për “Euro 2018” dhe gjashtë ndeshje eliminatore për “Botërorin 2017”. Ndërkohë, e ka nxjerrë vetëm një barazim karshi tri humbjeve në parakualifikimet për “Euro 2020”.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është ndër të parat që pati dalë në arenën ndërkombëtare, shkruan sot gazeta Zëri.

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) kishte fituar respekt të jashtëzakonshëm në vendin tonë për shkak se kishte arritur të depërtojë në arenën ndërkombëtare në një kohë shumë të vështirë për sportin kosovar, i cili ishte i izoluar në katër anët.

Në atë kohë kosovarët kënaqeshin vetëm me pjesëmarrje. Fitoret ishin misione të paarritshme, por edhe në plan të dytë për Kosovën.

Atëherë besohej shumë se edhe fitoret do të fillojnë të vijnë.

Por tashmë kanë kaluar shumë vite, ndërsa fitoret nuk po i vijnë dot vendit tonë, pavarësisht pjesëmarrjes së vazhdueshme në të gjitha garat ndërkombëtare.

“Dardanët” vazhdojnë të dëshpërojnë në çdo palë eliminatore për kampionate evropiane dhe për kampionate botërore.

Numri i humbjeve secilën herë po rritet, kurse fitorja assesi nuk po na do. Madje, ekipi verdhekaltër nuk po arrin të fitojë as ndaj skuadrave të nivelit të vet.

Kjo ndodhi edhe në kualifikimet e fundit për Botërorin e vitit 2019.

Kosova ishte pjesë e Grupit 4, pjesë e të cilit ishin edhe Qiproja, Polonia dhe Portugalia vendase.

Portugezët e fituan grupin dhe shkuan në “Play-Off”, ani pse polakët konsideroheshin favoritë.

Të dyja këto ekipe fituan pa problem kundër Kosovës, e cila në këtë kampanjë kualifikuese kishte hyrë pa shpresa për kualifikim, por me synimin që të fitojë ndaj Qipros. Por as këtë nuk e arriti.

Qipriotët e mundën Kosovën me rezultat 24:22, duke e lënë ekipin tonë në vendin e fundit të Grupit 4. Kështu Kosova e vulosi edhe një dështim në një garë kualifikuese.

Humbje të shumta ekipi ynë ka regjistruar edhe në kualifikime dhe në parakualifikime të mëhershme.

Kosova i numëron katër ndeshje të humbura në parakualifikimet e Kampionatit Evropian, i cili tashmë po zhvillohet në Kroaci.

Ekipi ynë përfaqësues i pati humbur gjashtë ndeshje edhe në eliminatoret e Botërorit të vitit 2017. Ndërsa i ka regjistruar tri humbje e një barazim në parakualifikimet për Evropianin e vitit 2020.

Në gara të tilla Kosova as që po e synon kualifikimin, shkruan Zëri.

Një fitore gjithnjë është synimi më i madh i saj, kurse paraqitja e dinjitetshme mbetet prioriteti minimal.

Por nëse shikohen rezultatet me të cilat po humb vazhdimisht, del se as këtë ambicie të vogël nuk po e arrin.

Këtë e pranon edhe vetë Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK), e cila e priste të paktën një fitore nga kualifikimet e fundit për Botërorin e vitit 2019 e të cilën ia pamundësoi Qiproja.

“Përfaqësuesja jonë largohet e dëshpëruar nga Portugalia, për shkak të disfatës nga Qiproja, të cilën e mposhti vjet në kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim”, thuhet në uebfaqen zyrtare të FHK-së.

Mirëpo, përpos përfaqësueses janë edhe klubet kosovare ato të cilat vazhdimisht pësojnë debakle në gara evropiane, ku nuk bëhen hesap nga kundërshtarët, me ç’rast edhe eliminohen herët.

Kjo ka bërë që përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, dështimin e ekipit të tij ta ndërlidhë me kampionatin shumë të dobët që zhvillohet në Kosovë. Sipas tij, garat ndërkombëtare i përkasin një niveli krejt tjetër prej atij nga i cili vijnë shumë reprezentues tanë.

“Zhgënjim i madh. Tri herë patëm mundësi t’i ikim Qipros, tri herë i lejuam të kthehen në lojë. Synimi ynë ka qenë fitorja dhe kemi besuar në të”, ka thënë ai.

“Kemi dëshmuar se mund të luajmë në nivel më të lartë sesa me atë që luajmë javë për javë nëpër klube, por jo që mund të mbajmë këtë nivel për tërësinë e lojës dhe sidomos jo në tërësinë e një kampionati intensiv siç ishte ky”, ka deklaruar Ramadani.

Kujtimet më të mira Përfaqësuesja kosovare i ka nga pjesëmarrja në dy kampionate për vendet në zhvillim, në të cilat e ka zënë vendin e tretë, por në të cilat gara marrin pjesë ekipe të nivelit të ulët. /Zëri/