Futbollistin kosovar e dëboi Gjermania, ai ndihet i shkatërruar

Sport January 16, 2018 - 12:36

Historia e Gentian Binishit është vërtet rrëqethëse, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollistit kosovar i është ndalur ëndrra në gjysmë pasi autoritetet gjermane kanë vendosur që ta kthejnë atë në Kosovë.

Një “tragjedi humane” e ka konsideruar këtë vendim klubi i tij i deritashëm, FC Nottingen 1957.

Në fakt, klubi gjerman llogariste në futbollistin, i cili ishte shembull për nga disiplina dhe për nga përkushtimi.

Gjithashtu ishte i integruar dhe ndoshta e meritonte një shans.

“Një tragjedi humane. Futbollisti i ekipit tonë U-21 Gentian Binishi është dëbuar nga Gjermania. 20-vjeçari është kthyer në Kosovë.Ai i ishte bashkuar Karlsruhes në vitin 2016 dhe më pas kishte ardhur tek ne”, shkruan në grupin zyrtar të Nottingenit në “Facebook”.

Edhe trajneri i U-23 të klubit gjerman, Michael Fuchs, e ka shprehur zhgënjimin dhe mërzinë e tij.

Image

“Genti ka një diapazon të gjerë. Unë kam llogaritur në të. Ishte i integruar maksimalisht me ne dhe shpejt e kishte mësuar gjuhën gjermane. Ishte mirë fizikisht. Nëse do të qëndronte përgjithmonë këtu dhe nëse do ta kishte kokën e çliruar ai sigurisht se do ta bënte një kërcim dhe arritje të madhe në sport”, thotë Fuchs, përcjellë zeri.info.

Gentit i shuhet ëndrra

Futbollisti kosovar ndihet i shkatërruar dhe i lënduar shpirtërisht. Ai po bënte gjithçka që është e mundur për të qëndruar në Gjermani, por rrugëtimi i tij u ndal në gjysmë, sigurisht pa dëshirën e tij.

“Tashmë jam në Kosovë. Ata më morën në orën 02:00 të natës dhe nuk mund t’i thosha lamtumirë askujt. As juve. Faleminderit për ndihmën tuaj. Shpresoj që mund të kthehem dikur. Mirëpo, momentalisht nuk mund të kthehem në Gjermani. Nuk e di se si do të shkojnë gjërat. Koka ime është e zbrazët. Të gjithë miqtë i kisha në Gjermani, nuk më ka mbetur asgjë. Dëshiroja të jetoja në Gjermani tërë jetën. Por, tash mbeta pa asgjë”, i ka shkruar Binishi trajnerit të tij Fuchs në rrjetet sociale.

Klubi FC Nottingen 1957, posaçërisht trajnerët e tij dhe bashkëlojtarët nga ekipi U-23 ia urojnë Gentit të gjitha të mirat në jetën e tij dhe do të ishin të gëzuar nëse dëgjojnë që ai do t’i realizojë dëshirat dhe ëndrrat e tij në vazhdim të jetës.

Ndoshta një ribashkim? “Ne do të ishim të lumtur”, shkruan klubi gjerman.

“Nuk na përket ne të merremi me situatën legale. Por në aspektin human, kjo është një tragjedi”, përfundon shkrimi i FC Nottingen 1957.

E Gentit i mbetet të fillojë gjithçka nga zeroja në Kosovë me shpresën që në të ardhmen do t’i jepet një mundësi tjetër për të luajtur në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër evropian. /Zëri/