Bersant Celinës talentin ia dha Zoti

Sport January 16, 2018 - 12:22

Trajneri i Ipswich Town, Mick McCarthy, thotë se Bersant Celina e ka talentin që ia ka dhënë Zoti pasi mesfushori kosovar, i huazuar nga Manchester City, e shënoi golin e fitores ndaj Leedsit fundjavën që shkoi, shkruan sot gazeta Zëri.

Përfaqësuesi kosovar realizoi nga distanca për ta shënuar golin e tetë sezonal në fitoren 1:0 të Ipswichit në Championship.

“Ju nuk mund t’ia jepni këtë lojtarëve, nuk mund t’ua mësoni këto gjëra”, ka thënë McCarthy për “BBC Radio Suffolk”.

“Unë i thashë atij, ti je një fitues i lojës, ti duhet të jesh njeriu i ndeshjes në lojëra si kjo”, vazhdoi ai.

21-vjeçari kishte debutuar në Premierligë me Cityn në shkurt të vitit 2016 dhe katër në total me “Citizens”, mirëpo e kaloi sezonin e kaluar si huazim në ekipin holandez, FC Twente.

“Bersanti është punëtor, por disa gjëra janë që t’i jep Zoti në praktikë. Në stërvitje ai gjithmonë e ka topin në këmbët e tij”, vazhdoi trajneri britanik. Celina shihet si e ardhme e Manchester Cityt dhe mund të kthehet në këtë klub sezonin tjetër. /Zëri/

Image