Sport

Fabrika e talenteve

Fabrika e talenteve
13 janar 2018 • 10 : 42

Gjatë tre vjetëve të fundit Benfica ka përfituar më shumë se 230 milionë funte duke shitur futbollistë të dalë nga akademia e saj. Klubi portugez është kthyer në një fabrikë të talenteve në futbollin evropian. Emra të shumtë futbollistësh që sot gjenden në klube të mëdha evropiane kanë kaluar nëpër ekipet zinxhirë të Benficas.

“Shikoni Edersonin te Manchester City. Kur ai kishte ardhur për herë të parë këtu te unë, ai ishte thjesht një djalë lagjeje, shumë i frikësuar për të lënë zonën e tij të 16-metërshit. Tani ai ndërmerr rreziqe më shumë se çdokush tjetër në Premierligë. Bernardo Silva është një top-futbollist gjithashtu. Ne e shitëm atë te Monaco dhe pas disa javësh ai po fliste frëngjisht në televizion, ai është një shembull. Ky klub u jep djemve aftësi për t’u rritur”, shprehet Luis Nascimento, trajneri i ekipit U-15 të Benficas, i cili është shpallur kampion katër herë në gjashtë edicionet e fundit. Ai tregon për kampusin stërvitor “Caixa Futebol Campus” në Seixal, 20 minuta larg Lisbonës.

Në vitin 2006 disa djelmosha hapën këtë qendër të futbollit që u bënë konak 65 fëmijëve anembanë botës. Kjo “fabrikë” përmban 9 fusha, 20 dhoma të zhveshjes, dy salla teatrosh, tre palestra dhe një “360S Simulator”, një lloj dhome ku futbollistët mund të ushtrojnë teknikën e tyre, transmeton "Zeri.info". Kjo është e ngjashme me “Footbonaut”, që për herë të parë është përdorur te Borussia Dortmundi, por Benfica ka një version të lojtarëve robotik që lëvizin rreth mureve. Të rinjtë testohen për shpejtësinë, vizionin dhe ekzekutimin kur synojnë të gjuajnë topin kur objektivat lëvizin.

“Futbolli i të rinjve është jetësor për Benfican, me përfitime sportive, sociale dhe financiare”, thotë Nascimento.

“Ne nuk flasim vetëm për stërvitje, por gjithashtu edhe për edukimin. Paraqitja akademike e lojtarëve tanë vëzhgohet dhe inkurajohet në të gjitha nivelet. Misioni është që të garantojmë kualitet në stërvitje dhe në edukim për të gjithë lojtarët e të gjitha grupmoshave, me fokus integrimin e tyre në ekipin e parë, promovimin e vlerave njerëzore si respekti, përgjegjësia, solidariteti, drejtësia dhe toleranca”, shprehet ai, shkruan "Zëri".

Klubi ka një rrugëtim të qartë për lojtarët, të cilët kalojnë nëpër ekipet e të rinjve para se të paraqiten me Benfican B, e cila luan në ligën e dytë portugeze. Skuadra e rezervave momentalisht mban 16 lojtarë të akademisë, të cilët tani luajnë në ligën e burrave, ku ndërhyrjet janë më të ashpra dhe bëhet gjithçka për të fituar. Akademia e Benficas ka një moto të saj “Develop to Win” (Zhvillimi drejt fitores) dhe duket se është duke funksionuar. Ata kanë tejkaluar rivalët e Sportingut dhe të Porots duke kryesuar në ligën e të rinjve për herë të gjashtë që prejse është hapur kampusi në vitin 2006.

“Për të marrë më të mirën prej lojtarëve duhet të fitoni besimin e tyre dhe t’i bëni ata të kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe pse janë duke e bërë. Kam punuar me këta lojtarë qëkur kanë qenë fëmijë dhe e di se cilët duhet t’i shtyjë përpara”, shprehet Nascimento.

“Ne kalojmë shumë kohë duke punuar me lojtarët individualisht dhe analizat e videove u tregohen të gjithë lojtarëve për t’i kritikuar. Kur arrijnë të jenë korrektë si individë, me mirëkuptim e duhur të aftësive të tyre dhe të sakrificës për grupin, ne i vendosim ata në ambientin ekipor duke i mësuar sesi t’i fitojnë ndeshjet. Dhe ky është çelësi, duke mësuar dhe duke u zhvilluar si individë këtë të rinj mësojnë rëndësinë e fitimit të ndeshjeve”, përfundon ai.

Futbollistët e akademisë të shitur gjatë tre vjetëve të fundit

2015: Andre Gomes te Valencia (18 milionë funte), Bernardo Silva te Monaco (14.2 milionë funte), Joao Cancelo te Valencia (13.5 milionë funte) dhe Ivan Cavaleiro te Monaco (13.5 milionë funte).

2016: Renato Sanches te Bauern Munichu (31.5 milionë funte) dhe Nelson Oliveira te Norwich City (5.25 milionë funte).

2017: Nelson Semede te Barcelona (27.5 milionë funte), Victor Lindelof te Manchester United (31.5 milionë funte), Heider Costa te Wolverhampton (13.5 milionë funte), Ederson te Manchester City (36 milionë funte) dhe Gonçalo Guedes te PSG-ja (27 milionë funte).

© zëri.info