Mbreti mbetet mbret

Sport January 12, 2018 - 18:49

Valon Berisha është mbret i futbollit kosovar. Ylli i Përfaqësueses së Kosovës të premten është shpallur “Futbollisti më i mirë i vitit 2017”, në ceremoninë solemne të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), raporton "Zëri".

Kjo është hera e dytë që mesfushori i Salzburgut shpallet futbollisti më i mirë në Kosovë, çmim të cilin e kishte marrë edhe për vitin 2016. Me këto dy çmime që mori në vendlindje Berisha vetëm se është bindur që ia kishte vlejtur për t’iu bashkuar reprezentacionit kosovar, për të cilin e kishte lënë para dy vjetësh Norvegjinë.

“Jam shumë i lumtur. E falënderoj Federatën, Albert Bunjakin që më ka sjell në Kosovë dhe që ka punuar me mua. Po ashtu, shokët e ekipit sepse pa ekip nuk ka individ. Po ndihem shumë i kënaqur. Shpresoj që Kosova të përparojë dhe të arrijë suksese”, ka deklaruar Berisha, i cili konkurrent i kishte Amir Rrahmanin dhe Hekuran Kryeziun nga ekipi përfaqësues, shkruan "Zëri".

Laureatët e Superligës

Derisa çmimi kryesor ka shkuar te Valon Berisha i Përfaqësueses së Kosovës, Florent Hasani i Trepçës ’89 është shpallur futbollisti më i mirë i Superligës kosovare për vitin 2017.

Ndërsa, sulmuesi i të njëjtit ekip, John Otto John është zgjedhur golashënuesi më i mirë. Në ekipin e vitit janë përfshirë këta futbollistë: Faton Maloku, Armend Thaçi, Armend Dallku, Ardian Limani, Rron Broja, Hamdi Namani, Mentor Zhdrella, Xhevdet Shabani, Florent Hasani, Mirlind Daku dhe Genc Hamiti, njofton "Zëri.info".

Shpërblimet tjera

Kampiones së Kosovës, Trepçës ’89 i ka takuar çmimi i klubit më të mirë në Kosovë për vitin 2017. Të njëjtit klub i është ndarë edhe çmimi i “Fair-Play-t”. Kurse, në konkurrencën e femrave ka triumfuar Hajvalia. Nga ky ekip janë zgjedhur edhe tri futbollistet më të mira: Zelfije Bajramaj, Edona Kryeziu dhe Verona Berisha.

Kurse, Liburnit i ka takuar çmimi i vitit për futsall, në të cilin lojtari më i mirë është shpallur Halim Selmanaj. Ndërkohë, ish trajneri i Trepçës ’89 dhe Feronikelit, Zekirija Ramadani është shpallur trajneri më i mirë i vitit 2017. Kurse, Genc Nuza sërish ishte gjyqtari më i mirë. Mirënjohje kanë marrë edhe tifozët “Dardanë”, etj.

FFK-ja e nderon, Bunjaki mungon!

Edhe pse pak muaj më parë ndërprenë kontratën, FFK-ja me mirënjohje e ka nderuar ish përzgjedhësin e Kosovës, Albert Bunjaki. Por, ky i fundit ka munguar në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit. /Zëri/