Ryan Giggs drejt stolit të Uellsit

Sport January 12, 2018 - 16:28

Ryan Giggs është kthyer në favoritin numër 1 për të marrë drejtimin e kombëtares së futbollit të Uellsit. Ish-mesfushori ikonë i Manchester United përfaqësueses ishullore, nuk e ka fshehur asnjëherë ëndrrën për të drejtuar ekipin e vendlindjes, por vetëm këtë fundjavë është konsideruar seriozisht nga federata.

Chris Coleman la pankinën e Uellsit në muajin nëntor, pas dështimit për të çuar ekipin në fazën finale të Botërorit që zhvillohet në Rusi këtë verë. Federata tani kërkon një zëvendësues të denjë në prestigj dhe në impaktin që do të ketë me lojtarët, edhe pse Ryan Giggs çalon disi në eksperiencë.

Ish-futbollisti i njohur ka provuar aventura të ndryshme në pankinë, fillimisht me ekipet e moshave e më pas në stafin e David Moyes, kur skocezi ishte në pankinën e Manchester United. Ryan Giggs madje drejtoi ‘Djajtë e Kuq’ për 4 ndeshje, pas shkarkimit të Moyes dhe ishte gjithashtu asistent i Van Gaal, transmeton TCH

Ikona e Uellsit ka marrë mbështetjen e disa futbollistëve për të drejtuar kombëtaren, por pritet që vetëm muajin tjetër Uellsi të përzgjedhë kandidaturën përfundimtare.