Ardian Gjini gëzon Gjakovën

Sport January 12, 2018 - 14:19

Java e ardhshme pritet t’i sjell ditët më të mira dhe më të rëndësishme në historinë e Vëllaznimit.

Klubi i famshëm i futbollit kosovar pritet ta përmbyll procesin e shndërrimit në Shoqëri Aksionare, të cilin proces po mundohet ta shtyjë përpara edhe vet Komuna e Gjakovës.

Investitorit të deritanishëm të klubit kuq e zi, Shkëlzen Gashit, pritet t’i bashkohen edhe emra tjerë, përkatësisht aksionarë të rinj, raporton "Zëri". 

Aksionari më i madh pritet të bëhet ish futbollisti i njohur, Agim Cana – babai i yllit shqiptar, Lorik Cana. Ndërkohë, palët e përfshira në këtë proces po mundohen ta inkuadrojnë në Vëllaznim edhe Ragip Xhakën, babain e yjeve shqiptarë, Taulant e Granit Xhakës.

Madje, mësohet se Gashi, Cana dhe Xhaka sot e kanë zhvilluar një takim për këtë çështje në Prishtinë. “Zëri” nuk ka mundur të kontaktojë me asnjërin prej tyre, por kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se deri në javën e ardhshme Vëllaznimi pritet të del përfundimisht në dritë.

“Komuna e Gjakovës e mbështet procesin e shndërrimit të Vëllaznimit në Shoqëri Aksionare. Disa herë kam biseduar me Agim Canën. Disponimi është pozitiv, por ende nuk ka përfunduar. Deri në javën e ardhshme sigurisht se do të zgjedhjet kjo çështje, mbi të gjitha në interesin e Vëllaznimit”, ka deklaruar Gjini për “Zërin”.

“Sa i përket Ragip Xhakës unë nuk jam takuar, por thash që duhet të presim deri në javën e ardhshme. Ajo që mund t’u konfirmoj tani është fakti se ka shumë të interesuar që të jenë pjesë e këtij procesi sepse Vëllaznimi është një klub me shumë trofe, me nam”, ka theksuar Gjini.

Vëllaznimi është njëri prej klubeve me histori të lavdishme në futbollin kosovar. Por, tashmë janë bërë shumë vite që kriza financiare vazhdimisht e ka përcjellë klubin kuq e zi, për të cilin kanë dashuri të sinqertë gjakovarët.

Vështirësitë financiare vazhdimisht po ia pamundësojnë Vëllaznimit pjesëmarrjen në luftërat për trofe. Disa vite ishte detyruar të luajë në Ligën e Parë. Sivjet po garon në Superligë me dinjitet, por gjithçka mund të ndryshoj për të keq nëse nuk i përmirësohet situata financiare./Zëri/