Një fitore si një Botëror!

Sport January 11, 2018 - 13:37

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të garojë pa shpresa për kualifikim në Botëror në turneun eliminator, i cili do të mbahet prej të premtes deri të dielën në Portugali. “Dardanët” do të takohen me Poloninë, me Portugalinë dhe me Qipron. Vetëm fituesi i grupit do ta vazhdojë rrugën drejt Botërorit. Polakët janë favoritë, por i pret një konkurrencë nga portugezët vendas. Kurse Kosovën do ta kënaqte një fitore eventuale ndaj Qipros. Verdhekaltrit kanë punuar shumë për t’u paraqitur sa më mirë në këtë turne kualifikues

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të enjten do të udhëtojë drejt Portugalisë, ku do t’i zhvillojë tri ndeshjet e rundit të parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet në vitin e ardhshëm.

Kosova gjendet në Grupin 4, pjesë e të cilit është Polonia superiore e po ashtu nikoqirja e këtij turi kualifikues, Portugalia.

Në të njëjtin grup gjendet edhe Qiproja, shkruan sot gazeta Zëri.

“Dardanët” të premten do të ballafaqohen me polakët, kurse të shtunën do ta zhvillojnë ndeshjen e dytë ndaj Portugalisë, ndërsa të dielën do ta zhvillojnë takimin e tretë kundër Qipros.

Kosova ka zhvilluar përgatitje serioze para udhëtimit në Portugali nën urdhrat e përzgjedhësit Taip Ramadani.

Vlen të theksohet se vetëm fituesi i grupit kualifikohet tutje. Andaj, duke e ditur potencialin e Polonisë dhe të Portugalisë, pa e nënçmuar as Qipron, Kosova nuk shpreson në kualifikim.

Mirëpo verdhekaltrit shpresojnë të paraqiten denjësisht në këtë turne kualifikues me synimin që t’u shkaktojnë probleme serioze të tria ekipeve kundërshtare.

Kosova do të kthehej e kënaqur në Prishtinë në rast se e shënon qoftë edhe një fitore të vetme në Portugali.

“Ndaj Qipros pres fitore, ndërsa me Portugalinë dhe me Poloninë mendoj që do të jenë ndeshje më të vështira, pasi të dyja këto përfaqësuese janë më të përgatitura”, ka deklaruar kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj, i cili luan jashtë vendit.

“Jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet në përfaqësuese. Mendoj se nëse përkushtohemi më shumë mund të arrijmë një nivel më të lartë. Besoj në ekipin që e kemi, mendoj se vetëm jemi duke ecur përpara”, ka thënë ai. “Na presin ndeshje të vështira, por prapëseprapë ne jemi shqiptarë, nuk do të dorëzohemi lehtë. Do të luftojmë deri në fund për të arritur një rezultat sa më të mirë. Besoj në përfaqësuese”, ka shtuar Dedaj.

Ndërkohë përzgjedhësi Taip Ramadani është i kënaqur me punën e bërë në kampin përgatitor të 22 hendbollistëve, ndonëse vetëm 16, eventualisht 17 prej tyre, do t’i marrë në Portugali.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve. Kanë qenë të fokusuar në detyrat e tyre dhe kanë punuar me vullnet të madh”, ka thënë Ramadani.

Polonia e Portugalia për fitore kundër Kosovës

Polonia është një përfaqësuese mjaft e fortë dhe e respektuar në hendbollin botëror, ani pse së fundmi befasisht nuk arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian, i cili mbahet së shpejti në Kroaci.

Mirëpo, polakët janë të mobilizuar për të shkuar në Botërorin e vitit 2019, për çka paraprakisht duhet ta fitojnë grupin kualifikues përballë Portugalisë, Qipros dhe Kosovës.

Ata domosdoshmërisht duan ta nisin me fitore kampanjën kualifikuese, të cilën e nisin të premten ndaj “Dardanëve” për ta arsyetuar epitetin e favoritëve.

“Duhet të mendojmë për disa gjëra, të përmirësojmë disa elemente dhe të mbajmë në mend që nuk luajmë vetëm ndaj organizatorit të turneut, pra Portugalisë”, ka thënë përzgjedhësi i Polonisë Piotr Przybecki, duke bërë të ditur kështu se ekipi i tij nuk do ta nënvlerësojë Kosovën dhe as Qipron. Rival kryesor i Polonisë konsiderohet Portugalia, me të cilën Kosova do të takohet të shtunën. Portugezët synojnë ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit në kërkim të tri fitoreve. “Jemi përgatitur mirë për ndeshjet kualifikuese. Duhet t’i përmirësojmë disa gjëra në mbrojtje, por në përgjithësi jam i kënaqur. Sa i përket sulmit, duhet ta përmirësojmë efikasitetin e gjuajtjeve”, ka thënë Paulo Pereira, selektori i Portugalisë. /Zëri/