Ëndrra e bërë realitet

Sport January 09, 2018 - 11:18

Philippe Coutinho ka kompletuar transferimin e tij te Barcelona. Braziliani të hënën u është nënshtruar testeve mjekësore, ka nënshkruar kontratën me klubin e ri dhe është prezantuar para medieve. Mesfushori i ka kushtuar klubit katalonjas 160 milionë euro

Philippe Coutinho ka kompletuar transferimin e tij te Barcelona nga Liverpooli, shkruan sot gazeta Zëri.

Reprezentuesi brazilian të hënën u është nënshtruar testeve mjekësore, ka nënshkruar kontratën e tij pesëvjeçare dhe është prezantuar para medieve së bashku me presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeu.

Në kontratën e 25-vjeçarit përfshihet edhe klauzola e lirimit prej 400 milionë eurosh.

Coutinho bëhet kështu transferimi më i shtrenjtë në histori të Barcelonës, duke e tejkaluar sulmuesin Ousmane Dembele, i cili ishte transferuar nga klubi spanjoll në verën e kaluar për 147 milionë euro.

“Dua ta falënderoj presidentin dhe të gjithë që e bënë të mundshëm këtë transferim. Jam shumë i lumtur, është një ëndërr e bërë realitet dhe shpresoj që t’i përmbush pritjet në këtë fushë”, është shprehur Coutinho.

Coutinho ka qenë objektiv i Barcelonës qysh prej afatit kalimtar të verës.

Gjiganti spanjoll kishte bërë tri oferta në drejtim të Liverpoolit, por që ishin refuzuar nga klubi anglez.

Ishte vetë braziliani që kishte kërkuar transferimin, por edhe kjo doli të ishte e pasuksesshme.

Image

“Kemi punuar disa muaj për këtë gjë. Por, njëra prej gjërave më të rëndësishme ishte që ai deshi të vinte këtu. Ai bëri përpjekje, ai ishte i durueshëm dhe ishte faktori kyç për ta sjellë këtu. Të gjithë e njohin atë si lojtar, ne dimë për karrierën e tij, por ajo që mund të them është se nuk ishte e lehtë për ta sjellë këtu. Ai deshi të vinte këtu dhe ai është pjesë e projektit të ri me Valverden. Dua ta falënderoj Liverpoolin, njërin prej klubeve më të mëdha evropiane, që lejoi ardhjen e tij”, ka deklaruar Bartomeu.

Edhe trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë fjalët e para pas nënshkrimit me Coutinhon.

Ai thotë se mezi pret që ta fillojë punën me brazilianin.

“Mendoj se ai mund t’i sjellë shumë skuadrës. Ai shënon dhe asiston dhe duke shkuar në sulm ai mund të luajë si brenda, ashtu edhe jashtë zonës. Ai është i gjithanshëm dhe mund ta shfrytëzojmë avantazhin e zhdërvjelltësisë së tij. Është një nënshkrim që është përfolur për një kohë të gjatë, edhe pse nuk ishte një gjë që unë mund ta diskutoja. Ai është këtu tani dhe i uroj fat sepse nëse ai ka fat atëherë do të jetë një gjë e mirë për ne”, është shprehur Vaverde.

Sidoqoftë, Coutinho nuk do të mundë ta bëjë debutimin e tij me Barcelonën së paku edhe për tri javë. Gjatë testeve të tij mjekësore mjekët e klubit kanë vërejtur që ai ka një problem në kofshën e djathë.

“Coutinho ka një problem në kofshën e djathtë dhe pritet të mungojë rreth tri javë”, ka njoftuar Barcelona. /Zëri/