Shumë punë për një fitore

Sport January 06, 2018 - 12:16

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll më 11 janar do të udhëtojë drejt Portugalisë, ku do t’i zhvillojë ndeshjet e rundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet në vitin e ardhshëm në Danimarkë e në Gjermani, shkruan "Zëri".

“Dardanët” do të paraqiten në Grupin 4, pjesë e të cilit janë edhe nikoqirja e këtij turneu kualifikues, Portugalia e po ashtu Polonia superiore dhe Qiproja.

Kosovarët qysh më herët kanë nisur me ushtrime, ndërsa prej të mërkurës janë duke e zhvilluar fazën e fundit përgatitore, të cilën po e kryejnë me përkushtim të madh.

Nën urdhrat e përzgjedhësit Taip Ramadani hendbollistët kosovarë po i zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, në Prishtinë.

Përzgjedhësi Ramadani thotë se atmosfera në kampin verdhekaltër është e shkëlqyeshme para udhëtimit drejt Portugalisë, ku ndeshjen e parë do ta zhvillojnë më 12 janar kundër favorites absolute të këtij grupi, Polonisë, përcjell "Zeri.info".

“Motivi në ekip është jashtëzakonisht i lartë. Ka humor dhe shoqëri të mirë mes lojtarëve, por ata janë po ashtu të vetëdijshëm se konkurrenca është shumë e fortë për pozita. Gjithsesi është një konkurrencë pozitive dhe për këtë kam respekt të madh ndaj lojtarëve”, ka thënë Ramadani.

Një ditë pas duelit me Poloninë, më 13 janar Kosova luan kundër Portugalisë. Kurse më 14 janar e zhvillon ndeshjen e fundit ndaj Qipros.

“Synimi është që ta arrijmë një fitore dhe t’i shtyjmë polakët dhe portugezët deri në fund. Realisht këto dy ekipe kanë përvojë ndërkombëtare të madhe dhe shumica e lojtarëve të tyre luajnë javë për javë në Ligën e Kampionëve, përvojë që neve na mungon. Janë favoritë, por nuk do t’ia dhurojmë askujt fitoren pa luftë”, ka theksuar Ramadani, i cili po ndihmohet nga ndihmësit e tij: Fatmir Muhaxheri, Fadil Kaçiku, që ka ardhur nga Gjermania dhe Igor Dokmanvoviç, ish-trajneri i ekipit U-18 të Kroacisë, që tani punon në Norvegji. /ZËRI/