Klubi i njohur evropian e do Mavrajn

Sport January 02, 2018 - 16:52

Emri i Mërgim Mavrajt ka qarkulluar sot në të gjitha mediat kryesore turke pasi lajmi se për të interesohet klubi i Fenerbahçes është përhapur me shpejtësi.

Klubi kërkon një qendërmbrojtës dhe sheh te ai një lojtar me shumë eksperiencë që mund të ndihmojë gjigantin turk të rregullojë prapavijën e cila ka shfaqur shumë probleme në këtë sezon.

Por ndërsa emri i tij qarkullon në Turqi, Mavraj i është bashkuar sot skuadrës në udhëtimin drejt Herez La Frontera në Spanjë.

Hamburgu do të qëndrojë atje një javë për të përgatitur pjesën e dytë të sezonit dhe do të zhvillojë dy miqësore përgatitore, një prej të cilave kundër Fraiburgut të Amir Abrashit.

Për momentin, zërat e merkatos duket se nuk kanë shqetësuar klubin, i cili nuk ka folur publikisht rreth ofertës që i ka mbërritur për lojtarin shqiptar.

Hamburgu nuk ka luksin të largojë një element me shumë eksperiencë si Mavraj në një sezon ku lufton për mbijetesën në Bundesligë dhe prapavija duhet të jetë reparti më i qëndrueshëm.

Ndaj në rrjetet sociale, tifozët e këtij klubi kanë shprehur bindjen se nuk do të lejohet Mavraj të largohet të paktën deri në mbyllje të këtij sezoni, pavarësisht ofertave ekonomike që mund t’u vijnë nga Turqia, shkruan VipSport.al.