Hajgare nëpër lloç

Sport December 31, 2017 - 22:10

Ishte viti 2015 kur Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës i kishin filluar procedurat fillestare rreth rinovimit të stadiumit të Prishtinës, shkruan zeri.info.

Punimet rreth rinovimit të këtij objekti kishin nisur me një vonesë të theksueshme. Megjithatë, institucionet premtonin se stadiumi do të bëhet gati së paku për dy ndeshje kualifikuese të botërorit “Rusia 2018”, në mënyrë që Përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë para tifozerisë vendase.

Mirëpo “Dardanët” të gjitha ndeshjet eliminatore i zhvilluan jashtë shtetit.

Lojërat si vendas i zhvilluan në Shkodër, kurse viti 2018 e zuri stadiumin e kryeqendrës së Kosovës në procesin e rinovimit, i cili vlerësohet si i stërngadalshëm, ashtu siç edhe shihet.

Madje akoma ekziston frika e mundësisë së moskryerjes së punimeve deri në muajin mars, gjë që duhet të ndodhë nëse Kosova dëshiron të luajë në shtëpi në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020”.  

Kështu, Prishtina lëre që ende nuk u bë me një stadium siç duhet, por nuk e ka as edhe një fushë të vetme stërvitore me bar artificial.

Madje kryeqyteti është në krye të listës së komunave të tjera për mungesë të fushave të futbollit. Në komunat tjera janë bërë disa investimeve viteve të fundit.

Por, as ato nuk kanë mjaftuar për ta nxjerrë futbollin nga kaosi infrastrukturor. Lloçi po vazhdon t’ia “nxijë jetën” futbollit tonë.

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë aktualisht mbetet numër 1 në vendin tonë.

Por, as ai nuk i plotëson kriteret për ndeshje kualifikuese të Përfaqësueses A.

Derisa institucionet shtetërore qe 18 vjet pas luftës nuk kanë arritur ta rinovojnë siç duhet stadiumin e Prishtinës apo atë të Mitrovicës konform kritereve ndërkombëtare, apo t’ia heqin sadopak lloçin kampionatit vendor dhe klubeve tona, ato vazhdojnë veç të flasin fjalë të mëdha.

Derisa gjendja aktuale në infrastrukturë konsiderohet si e mjerueshme, Qeveria vazhdon të merret me ide apo me deklarime pompoze.

Këtë më së miri e konfirmon rasti i Stadiumit Nacional, për të cilin vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte marrë vendim që Qeveria ta ndërtojë në Bërnicë të Prishtinës.

Pas Thaçit, edhe kryeministra, ministria, deputetë, kryetarë komunash dhe politikanë të tjerë vazhduan të merren me të njëjtin projekt, i cili mund të kushtojë rreth 50 milionë euro, gurthemeli i të cilit nuk është vënë asnjëherë.

Sikur Bërnica u harxhua së konsumuari në aspektin deklarativ.

Kështu, së fundmi Qeveria vendosi që projektin e ndërtimit ta zhvendosë në Drenas, të cilit vendim i kishte paraprirë një debat i madh me polemika të shumta dhe nga më të ndryshmet.

Gjithçka dukej “lojë politike” nga ata prej të cilëve varen projektet madhore, shkruan zeri.info.

Kurse ndaj lojërave të tilla politike qytetarët u kundërpërgjigjën me idenë ironizuese që stadiumi të ndërtohet me rrota, në mënyrë që ai të lëvizë gjithandej nëpër Kosovë, varësisht nga nevojat e skemës politike.

Natyrisht, këtë ironi e arsyeton fakti se për një projekt 50-milionësh Qeveria deri më tani i ka ndarë më pak se 2 milionë euro sa për t’i nisur punimet në vitin 2018.

Kurse tash për tash nuk dihet se ku do të gjendet shuma tjetër e parave.

Veç diçka është konkretizuar në krejt këtë çështje.

Stadiumi e ka marrë emrin “Dardania Arena” ende pa u siguruar mjetet, pa u bërë studimi i fizibilitetit dhe pa nisur ndërtimi i tij e madje ende pa u caktuar vendi i ndërtimit.

Vlen të theksohet se për këtë projekt, që vlerësohet i interesit nacional, as që është konsultuar institucioni kryesor i kësaj fushe, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), nga ana e politikës. /Zëri/

FAKT

Qeveria e Kosovës konsiderohet fajtorja kryesore e gjendjes së mjerueshme të infrastrukturës në futboll. Shteti nuk ka qenë në gjendje qe 18 vjet ta heqë lloçin nga kampionati kosovar e as ta bëjë me kritere ndërkombëtare ndonjërin prej stadiumeve ekzistuese. Ndërsa politika vazhdon të mos e lëshojë prej goje “Stadiumin Nacional”, i cili kushton rreth 50 milionë euro. Kurse projekti i tij bartet herë në Prishtinë e herë në Drenas dhe për fillim Qeveria e ka ndarë një shumë tepër të vogël, vetëm 1 milion e 950 mijë euro. Krejt çka është bërë gati qe katër vjet rreth këtij projekti është emërtimi i stadiumit “Dardania Arena”. Pra, shumë zhurmë dhe asgjë konkretisht.