Humbjet dhe skandalet e futbollit

Sport December 31, 2017 - 15:22

Viti 2017 i ka buzëqeshur vetëm në një aspekt futbollit kosovar, shkruan zeri.info.

Gjëja më e mirë për futbollin tonë ishte pjesëmarrja e tij në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesja e Kosovës garoi në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, por rezultatet e saj ishin zhgënjyese.

Kampanjën kualifikuese “Dardanët” e mbyllën vetëm me një barazim, që e kishin nxjerrë në vitin 2016 në Finlandë, për të vazhduar pastaj me nëntë humbje deri në fund të vitit 2017, të pësuara nga Kroacia, Turqia, Ukraina, Islanda dhe Finlanda.

Në dhjetë ndeshje Kosova i ka shënuar vetëm tri gola, kurse i ka pësuar 24 sosh.

Përvojë hiç më të mirë nuk kishin as Trepça ’89 dhe FC Prishtina në gara evropiane. Mitrovicasit ishin eliminuar në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve nga ekipi gjysmëprofesionist i Ishujve Faro, Vikinguri.

Ky i fundit në shtëpi kishte fituar me rezultat 2:1, kurse në Mitrovicë pritej fitore e ’89-shit favorit, por në fund zhgënjeu me rezultat 1:4, duke e zbehur edhe simpatinë që e kishte fituar përmes titullit të kampionit.

Me rezultat të përgjithshëm, 6:0, ishte eliminuar edhe FC Prishtina në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Por, në dallim prej ’89-shit, FC Prishtina ishte arsyetuar disi nga analistët pasi përballë e kishte një kundërshtar tepër të fortë.

Norrkopingu i famshëm suedez në shtëpi kishte fituar 5:0, kurse në Mitrovicë 0:1, ku Prishtina me lojën e shfaqur merrte duartrokitje të shikuesve.

’89-shi dhe Prishtina kishin shkuar në Evropë si më të suksesshmet e kampionatit të kaluar, i cili është karakterizuar me krizë të madhe financiare, me infrastrukturë katastrofale dhe me fenomenin e kurdisjeve, për çka kishin dalë edhe xhirime të akterëve të kurdisjeve, që me krenari i tregonin dallaveret që kishin bërë.

Por, ata nuk dolën asnjëherë para drejtësisë, ndërsa ishin dënuar butë nga Federata, e cila në ndërkohë “fshehurazi” ua kishte zbutur edhe ato dënime të vogla që ua kishte dhënë, duke ngjallur dyshime se sikur diçka edhe më e madhe po fshihej pas krejt atij skandali.

Për “krim të organizuar” ishte kritikuar edhe FFK-ja nga Feronikeli, i cili pretendonte se i është mohuar pjesëmarrja në Evropë shkaku i falsifikimeve që kishte bërë FFK-ja në dokumentacionin e procesit të licencimit të Llapit dhe Trepçës ’89 për gara evropiane.

Këto ishin ngjarjet më të zhurmshme, por nuk kanë munguar as fenomene të tjera, që janë të dëmshme për futbollin tonë, gjendja e të cilit edhe ashtu lë shumë për të dëshiruar. /Zëri/