Shkëlqeu duke ecur

Sport December 27, 2017 - 12:52

Lionel Messi nuk kishte nevojë të vraponte për ta fituar “El Clasicon” me Barcelonën. Statistika të pabesueshme rreth yllit argjentinas janë zbuluar nga mediet spanjolle. Në ndeshje me Realin “Pleshti” ka ecur gjatë 83% të kohës, ndërsa pjesën tjetër e ka kaluar duke vrapuar ngadalë, mesatarisht dhe shumë pak me sprint

Një sfilatë në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Me gol dhe asistim, shkruan sot gazeta Zëri.

Jo një ecje për shkak se ishte gjithçka e lehtë, por për shkak se Lionel Messi, i cili bën gjithçka më lehtë sesa duket, vërtet ka ecur në shtëpi të Real Madridit në “El Clasicon” e zhvilluar fundjavën që shkoi.

Barcelona fitoi 3:0 dhe Messi, pavarësisht faktit se nuk e pati angazhimin maksimal e shënoi një gol nga penalltia dhe e dhuroi një asistim.

Çfarë numra?

Sipas statistikave të nxjerra nga e përditshmja spanjolle “El Periodico”, numri 10 i Barcelonës në “Santiago Bernabeu” ka vrapuar shumë pak.

Madje, numrat tregojnë se ai ka ecur gjatë 83,10% të lojës. Më pas për 10,80% ka vrapuar shumë ngadalë, sikur të ishte duke bërë “jogging” në një park gjatë së shtunës paradite.

Gjatë 4,95% të kohës ka vrapuar, kurse në 1,15% të kohës ka vrapuar sprint.

Messi ka vrapuar 8,03 kilometra me një mesatare të shpejtësisë prej 33,59 km/h.

Në fund, totali: një gol nga penalltia, një asistim, këpucë sportive të hequr nga këmba dhe disa topa gjenialë të pashfrytëzuar nga shokët.

Lionel Messi komandon, edhe një herë, në Liga, në fushë, në “El Clasico” dhe këtë e bën duke ecur.

Iluzioni i Zidanet

Zinedine Zidane për ta ndalur yllin argjentinas kishte vendosur ta linte jashtë fushës Iscon, duke i lënë vend në ekip Mateo Kovacicit.

Dhe, nëse në 45 minutat e parë “Pleshti” nuk ishte në nivelin e duhur, duke e bërë zgjedhjen e “Zizou” të duhur, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” në pjesën e dytë e filloi spektaklin.

Sepse Messi bën gjithmonë kështu: së pari të bën të ëndërrosh, më pas të godet dhe të bën të ndihesh keq.

Një ngjarje e pazakontë që ka ndodhur në “El Clasico” ishte se tek asistimi për golin e tretë të Alex Vidalit, Messi e kaloi Marcelon në fund të lojës dhe mbrojtësi brazilian duke intervenuar ia hoqi këpucën sportive Messit.

Megjithatë, ky vazhdoi në drejtim të portës dhe u bë asistues pa këpucë krahas golit fenomenal që e kishte realizuar nga penalltia. Një legjendë që po e shijojnë ende të gjithë. /Zëri/

Image