Besnik Hasi ia jep një lajm të madh Vëllaznimit

Sport December 26, 2017 - 15:25

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka pritur në një takim ish – futbollistin e trajnerin e disa skuadrave të mëdha evropiane si dhe ish-reprezentuesin e kombëtares shqiptare, Besnik Hasi.

Mes Gjinit dhe Hasit u zhvillua një bisedë tejet miqësore, njofton Komuna e Gjakovës, përcjellë zeri.info.

Image

Në këtë takim u bisedua për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet sporti gjakovar, veçmas futbolli dhe klubi futbollistik Vëllaznimi.

Kryetari Gjini ka shtuar se qeverisja e re lokale është duke bërë përpjekje që të gjejë forma për përmirësimin e kësaj situate, duke e njoftuar futbollistin gjakovar se komuna bashkë edhe me qeverinë qendrore po planifikojnë ndërtimin e një stadiumi të ri për qytetin e Gjakovës, stadium i cili do të ofrojë kushte shumë më të mira për ndeshje futbollistike dhe ushtrime të futbollistëve.

Image

Nga ana tjetër, futbollisti Besnik Hasi, ka premtuar që me përvojën e tij shumëvjeçare në futbollin evropian do ta ndihmojë sportin gjakovarë, veçmas Klubin Futbollistik “Vëllaznimi”, klub në të cilin vet Hasi ka marrë hapat e parë si futbollist.

Ai ka thënë se me kënaqësi do të bartë tek Vëllaznimi të gjitha përvojat e fituara deri me tani, qoftë si futbollist qoftë si trajner, ndërsa ka shprehur dëshirën e tij që “Vëllaznimi” të këndellet dhe në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e klubeve më të mira evropiane.

Image

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendës ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e republikës së Kosovës Burbuqe Bakija – Deva si dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Gjakovës Saranda Hyseni.