Yjet falas

Sport December 23, 2017 - 13:59

Përderisa çmimet e lojtarëve vetëm janë duke u rritur, verën e ardhshme shumë klube mund të nënshkruajnë “falas” me emra të mëdhenj të futbollit.

Lojtarë si Alexis Sanchez, Mesut Ozil apo Juan Mata do të jenë futbollistë të lirë nga korriku i ardhshëm.

"Zëri" ju sjell shtatë lojtarë të njohur, të cilët do të mbesin pa kontrata në vitin 2018.

Shumë yje të Premierligës, të cilët kanë kontrata me klubet e tyre përkatëse deri në qershor të vitit të ardhshëm, mund të fillojnë të diskutojnë që në janar me klube të tjera.

Emra të njohur të futbollit mund të largohen falas nga klubet e tyre në verë. Ne ua sjellim shtatë prej yjeve që do të mbeten lojtarë të lirë në afatin kalimtar të verës.

Juan Mata (Manchester United)

Mesfushori spanjoll ka qenë lojtar kyç te “Djajtë e kuq” që prej transferimit të tij nga Chelsea në vitin 2014 për 37 milionë funte. Ai do të mbetet pa kontratë në verën e ardhshme dhe bisedimet për një rinovim të mundshëm janë ftohur kohëve të fundit.

29-vjeçari shpreson që të luajë edhe për shumë vite të tjera.

“Jam 29-vjeçar dhe shpresoj shumë që të mund të luaj futboll edhe shumë vite të tjera. Do të ishte diçka e mirë që të luaj deri në moshën 40-vjeçare si Giggs”, ka thënë ai, shkruan "Zëri". 

Jack Wilshere (Arsenal)

I kthyer në Arsenal pas një edicioni si i huazuar te Bournemouthi, mesfushori anglez është duke u kthyer në formë. Pas paraqitjes së parë si titullar këtë edicion në Premierligë kundër West Hamit, në barazimin 0:0, Wilshere ia siguroi vetes vendin edhe në sfidën e fituar 1:0 kundër Newcastles.

25-vjeçari ka shprehur dëshirën për të mbetur te klubi londinez, por varet edhe nga paraqitjet e tij këtë edicion.

Ross Barkley (Everton)

Objektivi kryesor i Tottenhamit në verën që lamë pas për pak sa nuk nënshkroi me Chelsean në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, por në fund refuzoi. Ai ka refuzuar rinovimin e kontratës, përcjell "Zeri.info".

Pjesën më të madhe të stinorit vjeshtor e ka kaluar si i lënduar, por pritet të ketë interesim të madh nga klubet për të nënshkruar me reprezentuesin anglez.

Alexis Sanchez (Arsenal)

Një objektiv i madh i Manchester Cityt, Arsenali ende mund të përfitojë një shumë nga kiliani nëse vendosë ta shesë në janar, para se ai të largohet falas.

Pep Guardiola ishte shumë afër nënshkrimit me të në gusht, por Arsenali refuzoi shitjen e tij. Sanchez ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe gjasat për një largim falas janë shumë të mëdha.

Marouane Fellaini (Manchester United)

Belgu nuk ka qenë lojtar edhe aq i popullarizuar në “Old Trafford”, por ai e ka gjetur veten nën urdhrat e Jose Mourinhos.

“Djajtë e kuq” i kanë ofruar rinovimin në shtator, por ai e ka refuzuar. Sidoqoftë, pavarësisht kësaj gjigandi anglez është i bindur që një marrëveshje mund të arrihet.

Mesut Ozil (Arsenal)

Ashtu si bashkëlojtari i tij Sanchez, e ardhmja e Ozilit mbetet në një pikëpyetje të madhe. Por, gjasat që ai të rinovojë kontratën janë më të mëdha se të kilianit. Raportimet e fundit thonë se Ozil dëshiron të qëndrojë në “Emirates”, transmeton "Zëri".

Sidoqoftë, mundësia për t’u ribashkuar me ish-trajnerin e tij te Real Madridi, Jose Mourinho te Manchester Unitedi, mund të jetë një arsye që ai të ikë nga Londra.

Emre Can (Liverpool)

Bisedimet për rinovimin e kontratës mes Canit dhe Liverpoolit kanë filluar prej kohësh, por ujdia nuk është arritur akoma.

Ky është një shqetësim i madh për të kuqtë, të cilët janë në dijeni se Juventusi është vënë në ndjekje të lojtarit dhe lojtarit mund t’i interesojë kalimi në Serie A. /ZËRI/