Ambasada zbardh të 'portokalltën'

Sport December 20, 2017 - 10:32

Liga Ballkanike e ka regjistruar me rezultat zyrtar 20:0 ndeshjen Rilski Sportist – Bashkimi në favor të bullgarëve.

Ndeshja është dashur të zhvillohet të martën në Bullgari, ku nuk ka udhëtuar fare ekipi kosovar.

Liga Ballkanike ka deklaruar se prizrenasit nuk kanë udhëtuar shkaku i problemeve për t’i pajisur me viza të gjithë lojtarët.

“Bashkimi nuk udhëtoi drejt Bullgarisë sepse nuk ishte në gjendje ta bëjë një listë me dhjetë lojtarë. Klubi kishte probleme me marrjen e vizave për disa lojtarë të tij dhe gjithashtu kishte probleme administrative, të cilat e kanë penguar që të paraqitet në lojë”, thuhet në uebfaqen zyrtare të Ligës Ballkanike.

Por, kjo nuk është e vërtetë, ka thënë Ambasada Bullgare në Prishtinë, e cila ka konfirmuar se u ka dhënë viza në kohë rekorde prizrenasve.

“Anëtarët e Bashkimit janë pajisur me kohë me viza bullgare dhe raportimi për anulim të ndeshjes shkaku i vizave nuk i përgjigjet së vërtetës”, thuhet pos të tjerash në sqarimin e bullgarëve.

Pas këtij reagimi të Ambasadës Bullgare Bashkimi e ka lëshuar një komunikatë, përmes së cilës e ka shfajësuar shtetin bullgar dhe është munduar ta nxjerrë edhe veten, duke i fajësuar mediet dhe gazetarët.

“Duke marrë parasysh deklaratën për medie të Ambasadës Bullgare në Kosovë, dëshirojmë që t’jua bëjmë me dije se e gjithë kjo punë është keqinterpretuar dhe keqinformuar nga disa gazetarë”, thuhet në deklaratën e klubit portokalli.

“Së pari, ne dëshirojmë ta falënderojmë Ambasadën Bullgare në Kosovë për gatishmërinë për të na pajisur me viza në afat rekord dhe dëshirojmë të jua bëjmë me dije se tërheqja e pasaportave nga ana jonë është bërë pasi dy nga lojtarët tanë nuk kanë pasur afat të mjaftueshëm në pasaportë për t’u pajisur me vizë. Për këtë arsye ne nuk kemi pasur fond të mjaftueshëm të lojtarëve për t’u paraqitur në lojën ndaj Rilskit, pasi që dihet që duhet minimum 10 lojtarë të jenë në roster”, thuhet në njoftimin e Bashkimit.

Ndërkohë, burimet nga Prizreni thonë se mosudhëtimi i Bashkimit në Bullgari lidhet direkt me krizën financiare që e ka kapluar klubin portokalli.

FBK-ja distancohet nga Bashkimi, falënderon Ambasadën

Ndërkohë, në krejt këtë situatë ka reaguar edhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), e cila ka shprehur mirënjohje për Ambasadën e Bullgarisë në Kosovë, duke e kujtuar mbështetjen e vazhdueshme të saj për skuadrat dhe për basketbollistët kosovarë në proceset për pajisje me viza.

“FBK-ja ndien keqardhje për atë çfarë ka ndodhur me klubin e basketbollit Bashkimi nga Prizreni dhe me këtë rast deklaron se nuk mban përgjegjësi për veprimet individuale të klubeve, të cilat nuk kanë qenë të koordinuara apo edhe në dijeni të FBK-së”, ka deklaruar FBK-ja. /Zëri/