I shpenzoi gati gjysmë milion euro për Vëllaznimin

Sport December 19, 2017 - 13:16

Kryetari i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi thotë se ka harxhuar shumë para për Vëllaznimin, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi gjakovar gjendet në një krizë të thellë, por biznesmeni gjakovar i ka treguar edhe shifrat që i ka shpenzuar për klubin e zemrës.

“Gjendja në klub është pak e vështirë, kam mbetur vetëm, asnjë njeri nuk më ndihmon. Unë i kam shpenzuar 438 mijë euro nga xhepi im deri tash, ndërsa Komuna për këto vite më ka ndihmuar vetëm me 22 mijë euro. Është bukur vështirë ta mbash një klub vetëm. Ne jemi të lidhur familjarisht ngushtë me Vëllaznimin, për atë edhe e kam marrë dhe po e mbaj këtë klub”, shprehet Gashi për “Zërin”.

“Unë nuk po kam kah të shqyhem më përpara. Po i paguaj shpenzimet e hoteleve të lojtarëve të huaj, pastaj të restoranteve ku kanë ngrënë bukë futbollistët dhe shpenzimet e tjera. Ka lojtarë të cilëve ua kemi nga një rrogë borxh, por ka edhe nga dy e besa edhe tri. Por, ne do të mundohemi që t’ua shlyejmë ato. Duhet ta gjejmë mënyrën. Kryetari i ri i Komunës, Ardian Gjini, më ka thënë se në Komunë mund të llogarisë vetëm nga viti i ardhshëm, pasi për momentin nuk ka para”, shtoi ai. /Zëri/