Keq e ma keq!

Sport December 19, 2017 - 13:46

Vëllaznimi ishte njëra prej skuadrave me krizën më të madhe financiare në Superligë gjatë vjeshtës. Mirëpo, pranvera pritet të jetë edhe më e vështirë për gjakovarët. Kryetari i klubit, Shkëlzen Gashi, thotë se nuk po mund t’ia dalë pasi ka mbetur i vetëm në klub. Ai e pranon se klubi ua ka borxh lojtarëve nga një deri në tri rroga. Gjatë janarit zbulon se do t’i lirojë lojtarët kryesorë dhe se në pranverë do të fokusohet te talentet e rinj. Synim e ka mbetjen në Superligë, por s’e sheh tragjike as rënien nga ajo

Vëllaznimi e kaloi një vjeshtë me plot vështirësi, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjakovarët po kalojnë nëpër një krizë financiare, e cila është vëllazëruar me këtë klub pas luftës.

Si rezultat, kryesia u mbeti borxh lojtarëve nga një deri në tri rroga.

Megjithatë, këta të fundit u fokusuan tek fusha e blertë dhe nuk u munguan rezultatet pozitive.

Mirëpo, pranvera pritet të jetë edhe më e vështirë për njërin prej klubeve më të mëdha në Kosovë.

Vëllaznimi nuk do të mundë të llogarisë në yjet e tij në pjesën e dytë të sezonit, pasi kryetari Shkëlzen Gashi tregon se ata do t’i lirojë, ku nuk po mund t’i përballojë shpenzimet e fryra, ndërkohë që ankohet se ka mbetur i vetëm në klub dhe se nuk po e ndihmon askush.

“Gjendja në klub është pak e vështirë, kam mbetur vetëm, asnjë njeri nuk më ndihmon. Unë i kam shpenzuar 438 mijë euro nga xhepi im deri tash, ndërsa Komuna për këto vite më ka ndihmuar vetëm me 22 mijë euro. Është bukur vështirë ta mbash një klub vetëm. Ne jemi të lidhur familjarisht ngushtë me Vëllaznimin, për atë edhe e kam marrë dhe po e mbaj këtë klub”, shprehet Gashi për “Zërin”.

I liron yjet, pranvera me të rinj prej zorit

Gashi ndër të tjera ka treguar se Vëllaznimi do t’i lirojë yjet, të cilët i ka transferuar trajneri Ismet Munishi dhe se në pranverë do t’ua japë rastin talenteve.

“Nuk dua të ngutem. Lojtarët që i ka sjellë Ismet Munishi le t’i marrë me vete. Do të largohen disa lojtarë, ndërsa do të mundohemi t’i mbajmë Alban Dragushën dhe Semir Zenelin, të cilët ishin djem të respektueshëm, do t’ua paguaj paratë deri në centin e fundit, jo vetëm atyre, por të gjithë të tjerëve”, deklaroi fillimisht Gashi, që është mjaft i mllefosur në Samir Sahitin, për të cilin thotë do ta suspendojë dhe se nuk do t’ia japë librezën për t’u larguar, pasi ka kontratë me klubin deri në fund të sezonit.

Synon mbetjen në Superligë

Vëllaznimi e mbylli pjesën e parë të sezonit në pozitën e nëntë me 25 pikë.

Dhe, numri 1 i klubit gjakovar thotë se synim i tij është që ta shmangë rënien nga liga, të cilën megjithatë edhe nëse ndodh nuk e sheh si diçka tragjike.

“Vëllaznimin e duam familjarisht dhe e kam marrë në dorë pasi nuk kam mundur ta shihja në pozitë të vështirë. Ne i kemi 25 pikë dhe synojmë të mbetemi në Superligë. Ndërkohë, do të punojmë me lojtarë të rinj, pasi ata janë të shumtë në Gjakovë. Edhe nëse nuk mbetemi në Superligë do të kthehemi shpejt. Duhet punë më e madhe me të rinjtë. Unë nuk largohem dot nga Vëllaznimi”, thotë Gashi.

Do t’i shlyejmë borxhet

Ndërkohë, Gashi premton se Kryesia nuk do t’i mbetet askujt borxh, njëjtë siç nuk i ka mbetur asnjë futbollisti apo trajneri në të kaluarën, prejse e ka marrë në dorë klubin.

“Unë nuk po kam kah të shqyhem më përpara. Po i paguaj shpenzimet e hoteleve të lojtarëve të huaj, pastaj të restoranteve ku kanë ngrënë bukë futbollistët dhe shpenzimet e tjera. Ka lojtarë të cilëve ua kemi nga një rrogë borxh, por ka edhe nga dy e besa edhe tri. Por, ne do të mundohemi që t’ua shlyejmë ato. Duhet ta gjejmë mënyrën. Kryetari i ri i Komunës, Ardian Gjini, më ka thënë se në Komunë mund të llogarisë vetëm nga viti i ardhshëm, pasi për momentin nuk ka para”, shtoi ai.

Rrogat, deri në 800 euro

Gashi i ka zbuluar edhe rrogat e majme të cilat i kanë futbollistët, por edhe trajneri i larguar tashmë, Ismet Munishi.

Sipas tij, Munishi i ka marrë 6 mijë euro në fillim nga kontrata, plus tre mijë të tjera rrogë, të cilën e ka pasur 1 mijë euro në muaj.

Kreu i klubit ka mbetur i habitur me largimin e Munishit pa e lajmëruar atë, por thotë se trajneri ka vendosur të shkojë në një klub ku mund të fitojë trofe dhe të marrë pjesë në Evropë e jo pse e ka pasur punën keq në Vëllaznim.

Ndërkohë, Gashi tregon se rrogat mujore të lojtarëve shkojnë deri në 800 euro.

Këtë shumë, sipas tij, e marrin Egzon Gashi, Alban Dragusha, Semir Zeneli e Samir Sahiti, kurse nga 600 i kanë Kushtrim Gashi dhe Albutrint Morina.

Ai insiston se tek Vëllaznimi nuk ka rroga nën 500 euro. /Zëri/