FIFA e kërcënon Spanjën me përjashtim nga Kupa e Botës

Sport December 15, 2017 - 14:09

Mediat spanjolle raportojnë se FIFA mund të ndërmarrë masa dramatike gjersa hetimi i saj ndaj korrupsionit historik në Federatën e Futbollit të Spanjës vazhdon.

E përditshmja “Marca” dhe El Pais raportojnë se Spanja mund të përjashtohet nga Kupa e Botës për shkak të aferës korruptive të njohur si “Villar affair”, transmeton Express.

Mediat spanjolle njoftojnë se Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) ka marrë vërejtje nga organi qeverisës i futbollit botëror (FIFA) duke u paralajmëruar se ndërhyrjet e qeverisë spanjolle në çështjet e sportit mund të çojnë drejt largimit të Spanjës si anëtare e FIFA-s dhe në këtë mënyrë edhe përjashtimin e kombëtares spanjolle nga të gjitha garat që merr pjesë.

Si pasojë, Spanjës mund t’i mohohet pjesëmarrja në Kupën e Botës “Rusia 2018”, transmeton Express.

Arsyeja për këtë është propozimi i mëhershëm për të mbajtur zgjedhje të reja për zgjedhjen e presidentit të FFS-së nga Gjykata Supreme e Sporteve (CSD).

Qeveria spanjolle ndërhyu në këtë çështje të FFS-së në mënyrë që t’i jepte fund “Villar affair”, me FIFA-n që tani është e shqetësuar se këto veprime e kanë vënë në rrezik autonominë e FFS-së. 

Përzierja e CSD-së e shkel artikullin 13 të statusit zyrtar të FIFA-s.

FIFA thekson në mënyrë eksplicite se: “Secili anëtar duhet të merret me çështjet e veta në mënyrë të pavarur dhe të sigurojë se nuk ka ndërhyrje nga një palë të tretë”.

Pas paralajmërimit të FIFA-s, presidenti aktual i FFS-së, Juan Luis Larrea, do të takohet me ministrin për Sport dhe Edukim, Inigo Mendez de Vigo, për të diskutuar si të luftohet ky problem. Dyshja mund të vendosë të mbajë zgjedhje të reja për ta detyruar Villarin, i cili edhe pse i suspenduar mbetet anëtar i Federatës, të largohet.