Liria shpreson në Komunën e Prizrenit të ‘Vetëvendosjes’

Sport December 15, 2017 - 12:59

Rasti i Drenasit, tashmë i njohur si “Ramiz Lladrovci – Feronikeli”, konsiderohet nga të gjithë në Kosovë si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

Shumë klube në Kosovë në çdo moment presin ndërhyrje të tilla nga komunat përkatëse. Klubet e futbollit kanë shkuar në pushim dimëror pas pjesës së parë të kampionatit, por shumë nga to ende nuk e dinë se si do ta presin sezonin pranveror me më shumë para apo me më pak para, me të njëjtit njerëz në Kryesi apo me të tjerë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kjo për shkak se komunat e tyre përkatëse po i konsolidojnë strukturat e reja qeverisëse të dala nga zgjedhjet e fundit komunale, të mbajtura në Kosovë e të cilat në fakt kanë prodhuar goxha ndryshime në postet e kryetarëve të komunave nga partitë e ndryshme politike.

Madje ka klube që i druajnë përsëritjes së rastit të ndodhur në Drenas në mes të Komunës dhe Feronikelit. Besa e Pejës, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit, Drenica e Skenderajt janë vetëm disa nga klubet e Superligës që me kujdes po i përcjellin zhvillimet dhe konsolidimin e qeverive të komunave përkatëse.

“Unë kam qenë asamblist i LDK-së në Komunën e Prizrenit dhe nënkryetar i Lirisë. Në Komunën e Prizrenit kaherë partitë politike i kanë lënë anash përkatësitë partiake dhe jemi bërë bashkë pozitë e opozitë për Lirinë, për t’i ofruar mbështetje klubit. Kjo edhe ka ndodhur. Unë besoj shumë se edhe kryetari i ri Mytaher Haskuka e do Lirinë dhe po ashtu edhe partitë politike në raport me kryetarin e ri besoj se do t’i lënë anash çështjet politike për të mirën e klubit”, thotë për "Zërin" nënkryetari i klubit bardhezi Qemajl Krasniqi.

Ai nuk beson se në Liri do të ndërhyjë politika siç ndodhi së fundmi në Drenas te Feronikeli. “Krejt çka mund të ndodhë pas ndryshimeve në qeverisjen komunale është ndalja e ndihmës financiare për Lirinë. Por, nuk mund të ndodhë diçka si në Drenas sepse Liria ka bord dhe të gjitha strukturat që duhet t’i ketë një klub. Por unë jam i bindur se Haskuka as ndihmën financiare nuk do t’ia ndalë Lirisë e lëre më të ndërhyjë politikisht”, theksoi ai. /Zëri/