Rasti i Feronikelit frikëson klubet tjera

Sport December 15, 2017 - 11:47

Sipas Ligjit për Sport, shumica e klubeve futbollistike nga komunat e Kosovës janë organizata joqeveritare (OJQ). Kurse Ligji për OJQ-të thotë se komunat i përkrahin, por nuk u ndërhyjnë klubeve si OJQ që janë. Qasje të njëjtë garanton edhe një rregullore e Komunës së Drenasit, e cila megjithatë po akuzohet për ndërhyrje të pastër politike në Feronikel. Ndërsa, edhe shumë klube tjera janë nën ethe tani kur komunat e tyre përkatëse po konsolidohen pas zgjedhjeve të fundit lokale, të cilat kanë prodhuar ndryshime të mëdha politike në qeverisjet e tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Rasti i fundit “Ramiz Lladrovci – Feronikeli” nuk është i vetmi, as i pari dhe as i fundit i cili e pasqyron lidhshmërinë e politikës me futbollin. E vërteta është se gati të gjitha klubet e futbollit në vendin tonë janë të lidhura me komunat përkatëse, të cilat natyrisht se qeverisen nga partitë politike.

Gazeta "Zëri" shkruan se Ligji për Sport dhe aktet normative të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e përcaktojnë mënyrën e themelimit dhe të funksionimit të klubeve. Por, me apo pa dashje ato në shumë raste nuk përfillen me ç’rast rezultojnë situatat e këqija dhe mjaft të komplikuara.

“Klubet sportive mund të jenë publike ose private. Klubet publike regjistrohen si organizata joqeveritare, ndërsa klubet private regjistrohen në bazë të ligjeve përkatëse në Kosovë”, thekson ligji. “Klubet sportive publike veprimtarinë e tyre e bazojnë në subvencione financiare buxhetore ose lokale, si dhe në donacionet nga personat fizikë dhe juridikë”, sqaron pos tjerash Ligji për Sport.

Shumica e klubeve të futbollit në Kosovë janë publike dhe kanë statuse të OJQ-ve. Ligji për OJQ-të është shumë i qartë edhe në rastet komuna - klube. “Institucionet e Republikës së Kosovës përkrahin, por nuk ndërhyjnë në veprimtaritë e OJQ-ve dhe bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe të përkrahjes. Dhënia e çfarëdo fondi publik për OJQ-të nga institucionet e Republikës së Kosovës bëhet në bazë të kritereve të paracaktuara dhe publike”, thuhet në Ligjin për Sport.

Këto ligje janë të obliguara t’i respektojnë me kujdes edhe drejtoritë e sportit në komuna, të cilat natyrisht se nuk guxojnë të ndërhyjnë në çfarëdo rasti nëpër klube vetëm pse u ndihmojnë financiarisht.

Ja cilat janë përgjegjësitë e Drejtorisë për Sport në Komunën e Drenasit, e cila ndërroi Kryesinë e Feronikelit, gjë që në vendin tonë u konsiderua ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

“Përgjegjësitë e Drejtorisë për Sport në Komunën e Drenasit: Menaxhon në mënyrë të drejtë me të gjitha objektet komunale të kulturës, sportit dhe të rinisë; Organizon takime me rëndësi kulturore, sportive dhe të rinisë në komunë; Organizon debate për zhvillimin e kulturës, sportit dhe të rinisë në komunë; Harton plane për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore; Kryen punë lidhur me bibliotekat e komunës; Përpunon, sistemon dhe formon fondin e lëndëve arkivore dhe bën punë tjera të caktuara nga kryetari i Komunës”, thuhet në uebfaqen zyrtare të Komunës së Gllogocit, shkruan "Zëri". 

Rasti i Feronikelit frikëson klubet tjera

Rasti i Drenasit, tashmë i njohur si “Ramiz Lladrovci – Feronikeli”, konsiderohet nga të gjithë në Kosovë si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

Shumë klube në Kosovë në çdo moment presin ndërhyrje të tilla nga komunat përkatëse. Klubet e futbollit kanë shkuar në pushim dimëror pas pjesës së parë të kampionatit, por shumë nga to ende nuk e dinë se si do ta presin sezonin pranveror me më shumë para apo me më pak para, me të njëjtit njerëz në Kryesi apo me të tjerë.

Kjo për shkak se komunat e tyre përkatëse po i konsolidojnë strukturat e reja qeverisëse të dala nga zgjedhjet e fundit komunale, të mbajtura në Kosovë e të cilat në fakt kanë prodhuar goxha ndryshime në postet e kryetarëve të komunave nga partitë e ndryshme politike.

Madje ka klube që i druajnë përsëritjes së rastit të ndodhur në Drenas në mes të Komunës dhe Feronikelit. Besa e Pejës, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit, Drenica e Skenderajt janë vetëm disa nga klubet e Superligës që me kujdes po i përcjellin zhvillimet dhe konsolidimin e qeverive të komunave përkatëse.

“Unë kam qenë asamblist i LDK-së në Komunën e Prizrenit dhe nënkryetar i Lirisë. Në Komunën e Prizrenit kaherë partitë politike i kanë lënë anash përkatësitë partiake dhe jemi bërë bashkë pozitë e opozitë për Lirinë, për t’i ofruar mbështetje klubit. Kjo edhe ka ndodhur. Unë besoj shumë se edhe kryetari i ri Mytaher Haskuka e do Lirinë dhe po ashtu edhe partitë politike në raport me kryetarin e ri besoj se do t’i lënë anash çështjet politike për të mirën e klubit”, thotë për "Zërin" nënkryetari i klubit bardhezi Qemajl Krasniqi.

Ai nuk beson se në Liri do të ndërhyjë politika siç ndodhi së fundmi në Drenas te Feronikeli. “Krejt çka mund të ndodhë pas ndryshimeve në qeverisjen komunale është ndalja e ndihmës financiare për Lirinë. Por, nuk mund të ndodhë diçka si në Drenas sepse Liria ka bord dhe të gjitha strukturat që duhet t’i ketë një klub. Por unë jam i bindur se Haskuka as ndihmën financiare nuk do t’ia ndalë Lirisë e lëre më të ndërhyjë politikisht”, theksoi ai.

Ndërkohë, sytë kah Komuna e Gjakovës i ka edhe Vëllaznimi në krizë të madhe financiare. “Vëllaznimi nuk ka pasur mbështetje nga Komuna. Unë dhe futbollistët e mi i kemi shumë keq punët financiarisht dhe nuk e di nëse do të mundnim të presim më. Por, Vëllaznimi natyrisht se pret ndihmë nga Komuna e Gjakovës pas ndryshimeve në qeverisjen e saj”, thekson për "Zërin" Ismet Munishi, i cili kishte polemika me ish-kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari-Lilën.

Trajneri i gjakovarëve shpreson që komunat të mos e shfrytëzojnë mundësinë për të bërë politikë me klube. “Politika duhet të jetë e afërt me sportin në kuptimin për t’i ndihmuar, por assesi për ta politizuar atë”, thotë ai.

“Ka klube që i kanë mirëpritur ndryshimet në qeverisje të komunave, por ka klube që nuk i kanë mirëpritur ndryshimet. Ka parti politike që e duan sportin dhe janë të gatshme ta ndihmojnë. Por ka edhe parti që nuk kanë lidhje me sport dhe prej tyre nuk mund të presësh mbështetje. Po flas për mbështetje financiare e jo për ndërhyrje politike. Në secilën komunë sporti ka nevojë për mbështetje financiare, duke filluar prej më të madhes, pra prej Komunës së Prishtinës, e cila në katër vjetët e fundit ka bërë shumë pak për sportin e deri te komuna më e vogël”, përfundoi ai. /Zëri/