Merren vesh gojarisht

Sport December 15, 2017 - 11:47

Kryesia e re e Feronikelit dhe Federata e Futbollit të Kosovës ua kanë pamundësuar futbollistëve largimin nga skuadra e Drenasit, pavarësisht faktit se ata i kishin marrë fletëlëshimet nga kryesia e larguar së fundmi, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Futbollistët nuk kanë marrë kurrfarë sigurie bankare me shkrim, por kanë vendosur t’u besojnë premtimeve gojore të kryesisë së re se te kampioni i dyfishtë i Kosovës nuk do të ketë kurrfarë destabiliteti.

Lojtarët për një moment ishin konfuzë dhe nuk e dinin të ardhmen e tyre, por kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ishte iniciator i largimit të kryesisë së deritashme, reagoi menjëherë duke e emëruar kryesinë e re. Kjo bëri që futbollistët ta ndërronin mendjen dhe të vendosin të qëndrojnë në Drenas.

“Ka pasur disa paqartësi pas dorëheqjes së kryetarit dhe të Kryesisë, por ajo tashmë ka kaluar, është bërë kryesia e re. Ne kemi kontratë të vlefshme me klubin, kështu që krejt lojtarët kemi vendosur të vazhdojmë. I jemi kthyer normalitetit të gjithë”, thotë për “Zërin” kapiteni Behar Maliqi.

“Ne nuk kemi menduar asnjëherë të largohemi nga klubi, por realisht nuk e kemi ditur se kush do të vinte dhe se çka do të bëhet me klubin. Por në momentin që është bërë kryesia e re edhe kontratat kanë vazhduar ashtu siç i kishim, kemi vendosur të vazhdojmë në klub. Asnjë lojtar nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi, pasi Feronikeli është njëri prej klubeve më të organizuara në Kosovë dhe më i suksesshmi”, vazhdoi ai./Zëri