Dortmundi, më shumë se një klub

Sport December 14, 2017 - 14:10

Borussia Dortmund është vetëm njëri prej disa klubeve gjermane që i ndihmon refugjatët për t’u integruar në komunitetin gjerman. Prej tre vjetësh Liga Gjermane e Futbollit ka krijuar një plan për t’i ndihmuar refugjatët në jetesën e tyre në Gjermani. Dortmundi u ofron atyre stërvitje të përjavshme, shujta falas dhe mësime të gjuhës gjermane, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Borussia Dortmundi është njëri prej disa klubeve që me shumë entuziazëm e ka marrë përsipër që ta themelojnë një ligë të futbollit për t’i ndihmuar refugjatët në jetën e tyre në Gjermani. Nën hijet e stadiumit të Borussia Dortmundit “Wesfalenstadion”, në një rrugë aty afër, 16 refugjatë nga mbarë bota janë duke luajtur një ndeshje futbolli. Pas një sfide mjaft të vështirë Shamil Ilqasim, një 19-vjeçar nga veriu i Irakut, shihet i buzëqeshur. “Sapo e lëndova këmbën, por do të kthehem së shpejti, mos u merakosni”, thotë Shamil, i cili ka të veshur fanellën e Borussia Dortmundit, të kombinuara me shorcet e Hertha Berlinit.

Ai është pjesë e nismës “Mirë se vini në futboll!” që ishte themeluar nga Liga Gjermane e Futbollit (DFL) në shtator të vitit 2012 dhe ka udhëhequr 24 klube profesionale për të vepruar njësoj si Dortmundi. Në bashkëpunim me klubin amator, TSV Eintracht Dortmund, me fondacionin e Ligës Gjermane të Futbollit dhe atë të Fëmijëve dhe të Rinjve Gjermanë fondacioni i klubit të Bundesligës, Borussia Dortmund, ka ndihmuar në krijimin e një projekti, që tani është në vitin e tretë, për të ndihmuar refugjatët e moshave 18-20 vjeç për të marrë pjesë në stërvitje të përjavshme në stadiumin “TSC”, në të cilin ata marrin edhe një vakt falas dhe mësime të gjuhës gjermane. 

“Është me të vërtetë kënaqësi”, thotë Shamil. “Ne luajmë çdo javë, ne hamë aty dhe kemi gjithçka që na nevojitet. Jam këtu me familjen time, por është edhe më e rëndësishme për ata që nuk kanë familje. Na bën që t’i harrojmë problemet tona. Luaja futboll në Itak, por në vitin 2014 erdhi ISIS-i dhe ishte shumë e vështirë sepse shoku im më i mirë...Kalashnikov”, shprehet ai duke i ikur zëri. “Ishte shumë e vështirë për mua. Ende e mbaj në mend shokun tim, por ndiej sikur Gjermania është shtëpia ime tani. Kur arrita këtu ishte e vështirë sepse nuk e njihja gjuhën. Por, tani gjërat po përmirësohen”, thotë Shamil.

Nxënësit nga komuniteti i refugjatëve që marrin pjesë në shkollat lokale shpërblehen për sjelljen e tyre të mirë me një vit të plotë në kurs, me organizatorët që gjithashtu u ndihmojnë atyre që të gjejnë punë dhe vend në fakultet. Përveçse u siguron atyre trajnerë dhe pajisjet e duhura, Dortmundi gjithashtu vazhdon t’u japë atyre bileta flas për ndeshjet e tyre si vendas, që prej asaj ftesës së famshme të 220 refugjatëve për të marrë pjesë në një ndeshje të tyre në vitin 2015.

“Para tre vjetësh shumë refugjatë erdhën në qytet dhe ne deshëm që t’i përkrahnim ata dhe vullnetarët”, thotë Thomas Klein nga departamenti i çështjeve sociale të Borussia Dormtundit. “Por, përveç biletave falas ne donim që t’i përkrahnim vazhdimisht dhe ishim shumë të kënaqur kur dëgjuam për idenë e DFL-së. Na lejoi neve që të krijonim mundësi për integrimin e refugjatëve në komunitetin dhe në kulturën gjermane. Ne jemi shumë të kënaqur kur refugjatët vijnë te ne dhe thonë ‘më vjen keq, por nuk mund të vij më në stërvitje sepse kam një punë’. Kjo është diçka e madhe. Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit që duan të qëndrojnë në Gjermani dhe të integrohen”, shprehet Klein./Zëri 

Image