Donjeta Sadiku rrezikon ta humb prapë Kampionatin Botëror shkaku i vizës

Sport December 14, 2017 - 11:38

Donjeta Sadiku mbeti pa pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit për të Reja pasi India nuk e pajisi me vizë për të hyrë në këtë shtet, i cili nuk e njeh Republikën e Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri

Ky fakt e shkatërroi ato ditë boksieren më të mirë kosovare, e cila u dorëzua para politikës me lot në sy.

Megjithatë, ky duket të mos jetë fundi i vuajtjes së sportistes së njohur kosovare, pasi ajo e ka një tjetër rrezik në prag të shtëpisë.

India mund t’ia refuzojë prapë vizën

Në fakt, boksierja nga Gollaku po përgatitet për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për herë të parë në karrierë si seniore, në evenimentin që do të mbahet në muajin janar të vitit 2018.

Fatkeqësia e saj është se, si për ironi, ky eveniment prestigjioz do të mbahet prapë në Indi, njëjtë si Botërori i të Rinjve në muajin nëntor.

Ky fakt e ka shqetësuar Federatën e Boksit të Kosovës (FboxK), e cila frikësohet se mund të përsëritet rasti i fundit dhe që boksierja më perspektive e botës të mbetet pa Botëror, ku numërohen pikët olimpike që çojnë në Olimpiadën e Tokios.

Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës Ramadan Selimi po qëndron në Itali, respektivisht në Assisi, ku u mbajtën takimet e rregullta të komisioneve të garave në Federatën Evropiane të Boksit – EUBC. Në Komisionin e Organizimit të Garave për Femra anëtar është edhe Selimi.

Ai e shprehu shqetësimin e tij për rastin e Donjetës, shkruan Zëri.

“Kryetari i Federatës Selimi, e ngriti zërin për atë që ndodhi me Donjetën dhe tash e ka shqetësimin në veçanti për Kampionatin e ardhshëm Botëror, që do të mbahet në Indi, kur dihet se ky Kampionat është edhe për normë olimpike për olimpiadën ‘Tokio 2020’. Njëherësh, Selimi u tregoi të pranishmëve se Kosovën më 10-12 dhjetor e ka vizituar presidenti i ANOC-ut dhe se u ka premtuar sportistëve tanë se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më, siç ka qenë rasti me Indinë”, njofton FboxK-ja.

Shpresat te Shqipëria

Të vetëdijshëm se Donjeta mund ta humbë edhe Botërorin e Senioreve në Indi, drejtuesit e Federatës së Boksit javë më parë e kanë marrë rrugën drejt Shqipërisë në kërkim të pasaportave shqiptare për boksieren Donjeta Sadiku, trajnerin e saj Besim Brahimin dhe sekretarin e Federatës dhe njëherësh gjyqtarin ndërkombëtar të boksit, Latif Demolli.

Krerët e FboxK-së shpresojnë se treshja do të pajiset me kohë me nënshtetësi shqiptare dhe me pasaportë shqiptare të udhëtojë pa problem drejt Indisë.

Në të kundërtën, Donjeta nuk do t’i ketë punët aspak mirë, pasi qeveria indiane duket e vendosur dhe nuk e ka ndërmend të lëshojë pe. /Zëri/