Secilën herë më llugë

Sport December 14, 2017 - 09:46

Rasti “Ramiz Lladrovci – Feronikeli”, i cili në Kosovë po konsiderohet si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll, mund të shkojë deri në UEFA e në FIFA. Kjo pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka marrë një vendim në favor të Komunës së Drenasit e Feronikelit dhe në disfavor të futbollistëve. Shtëpia e futbollit nuk do t’i njohë fletëlëshimet që lojtarët i kanë marrë nga “Nikli” e përmes të cilave besohet se disa nga ta tashmë kanë arritur marrëveshje me klubet tjera kosovare. Kështu është hapur mundësia e ankesave të palëve të dëmtuara deri në UEFA e në FIFA, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ashtu siç ka paralajmëruar të mërkurën gazeta “Zëri”, futbollistët dhe trajnerët e Feronikelit janë lënë të lirë. Të gjithë atyre u janë dhënë fletëlëshimet nga ana e Kryesisë, anëtarët e së cilës më pas kanë dhënë dorëheqje, e cila ka buruar nga një kërkesë e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e cila konsiderohet si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

Drejtuesit e deritanishëm të Feronikelit janë përshëndetur me futbollistët dhe asnjëra palë nuk ka mundur t’u përmbahet lotëve të buruar nga pikëllimi i ndarjes.

Ndërkohë gazeta “Zëri” ka arritur të mësojë se me futbollistët e Feronikelit, të cilët kanë marrë fletëlëshime, menjëherë kanë nisur të bisedojnë klubet tjera të Superligës kosovare.

Për më tepër, mësohet se disa futbollistë menjëherë kanë arritur marrëveshje me klube tjera, por të cilat nuk po bëhen publike as nga lojtarët e as nga klubet që i kanë siguruar shërbimet e tyre pasi paraprakisht po presin se çfarë kahe po merr rasti “Lladrovci – Feronikeli”.

Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i Komunës së Drenasit, e cila ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që të mos i marrë si të vlefshme fletëlëshimet e futbollistëve pasi ato u janë dorëzuar nga zyrtarë jolegjitimë të klubit, siç i quan Drejtoria për Sport e kësaj Komune.

“Konsiderojmë se mbledhja e konvokuar nuk i ka përfshirë anëtarët legjitimë të Kryesisë së Klubit, nga të cilët ishin prezentë vetëm kryetari i dorëhequr Ekrem Elshani dhe anëtari tjetër i Kryesisë Tahir Tahiri, sipas procesverbalit nga mbledhja e datës 12.12. 2017, e protokolluar në arkivin e Komunës së Drenasit më 13.12.2017”, thuhet në shkresën e Komunës dërguar FFK-së, e cila e njofton shtëpinë e futbollit se asnjë vendim juridik që është marrë pas 11 dhjetorit nuk është i vlefshëm.

Dhe Komuna e Drenasit e ka bindur shumë lehtë FFK-në, e cila ka marrë vendim në favor të Komunës dhe në mbrojtje të Feronikelit, e vendim i cili pa dyshim që shkon në dëm të atyre futbollistëve që më nuk kanë besim në të ardhmen e këtij klubi dhe të ardhmes së tyre në Feronikel e që nisën të transferohen dhe të bisedojnë me klube tjera.

Image

“FFK-ja njofton të gjitha klubet dhe palët tjera të interesuara dhe të involvuara për çfarëdolloj interesi se të gjitha vendimet e marra për transferimin e lojtarëve apo veprimet tjera juridike pas datës 11 dhjetor 2017 janë të pavlefshme dhe jolegjitime. E gjithë kjo nga ana e FFK-së bëhet për interes të ruajtjes së interesit të klubit, mbrojtjen e futbollistëve, si dhe ruajtjen e integritetit të garave”, theksohet në njoftimin e FFK-së, e cila u bën thirrje të gjitha palëve t’i kontribuojnë kthimit të qetësisë dhe stabilitetit në Feronikel.

Por, as Komuna e Drenasit e as FFK-ja tash për tash nuk i kanë bindur lojtarët që të mbesin në Feronikel sepse obligimet financiare do të kryhen ndaj tyre, duke u ofruar ndonjë garancion bankar se klubi ka buxhet të mjaftueshëm për t’u qëndruar prapa kontratave me lojtarë.

Rasti “Lladrovci – Feronikeli” mund të shkojë deri në UEFA e në FIFA

Vendimi i FFK-së për të mos i njohur fletëlëshimet që i kanë marrë futbollistët e Feronikelit mund të ndikojë që UEFA të dëgjojë për situatën e krijuar në mes të Komunës së Drenasit dhe Feronikelit, e cila në Kosovë po vlerësohet si ndërhyrje e pastër e politikës në futboll.

Image

Kjo pasi futbollistët e Feronikelit që kanë arritur marrëveshje me klube tjera kosovare përmes fletëlëshimeve të marra mund të ankohen në UEFA e në FIFA në rast se FFK-ja nuk ua njeh ato fletëlëshime. Këtë e kanë paralajmëruar për “Zërin” njerëz të përfshirë në këtë situatë.

Dhe nëse kjo ndodh, atëherë ndërkombëtarët do të kërkojnë sqarime të detajuara përmes të cilave mund ta vërtetojnë ndërhyrjen politike në futboll dhe pasojat për Feronikelin e futbollin kosovar mund të jenë më të mëdha sesa që po mendohen tash për tash në vendin tonë.

Kryesia e re 

Pas dorëheqjes së Kryesisë, Komuna e Drenasit e ka emëruar Agim Kastratin ushtrues të detyrës së kryetarit të Feronikelit. Komuna ka kërkuar nga klubi që sa më shpejt të bëhet me kryesi të re dhe të krijojë stabilitet dhe funksionim të mirëfilltë të klubit. /Zëri/