Shkova me 5.000 femra dhe isha më i mirë se Ronaldo

Sport December 13, 2017 - 16:58

Renato Portaluppi ka zbuluar gjithçka rreth jetës së tij. Trajneri brazilian thotë se gjatë jetës së tij ka shkuar me 5.000 femra. Ish-futbollisti i njohur insiston se ishte më i mirë se Cristiano Ronaldo, ndërsa për kampionatin italian thotë se është qesharak. Një ditë synon ta drejtojë Përfaqësuesen e Brazilit, kurse momentalisht synon ta fitojë Botërorin e Klubeve me ekipin që e udhëheq – Gremio

Renato Portaluppi i ka befasuar të gjithë me deklaratat e tij bombastike dhe kontroverse, shkruan sot gazeta Zëri.

Trajneri i Gremios, me të cilën po merr pjesë në Botërorin e Klubeve, ka zbuluar se gjatë karrierës së tij ka pasur femra me numër katërshifror.

“I kam pasur 5.000 femra”, ka thënë ai, duke u tallur më pas me legjendarin Pele.

“Për çdo gol tëndin unë e kam fituar nga një femër”, ka shtuar ai. 

Renato është agresiv, sikur formacioni 4-2-3-1 tek Gremio e tij.

“Ka prej trajnerëve të futbollit që shkojnë për të studiuar në Evropë, por unë nuk kam nevojë. Kush di, di. Kush nuk di, le të studiojë. Topi është sikur t’i ngasësh biçikletës: ju nuk e harroni kurrë atë. Dua t’i shoh një ditë Mourinhon dhe Guardiolën në krye të skuadrave që i kam drejtuar unë”, vazhdon ai.

Isha më i mirë se Ronaldo

Renato nuk ndalet së “godituri” njerëzit e futbollit. Ai e kishte edhe me fituesin më të ri të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, i cili e fitoi këtë trofe prestigjioz për herë të pestë në karrierë.

“Ronaldo përsëri ‘Top i Artë’? Nuk kam dyshim, unë isha më i mirë se ai, kisha më shumë teknikë. Është mjaft e lehtë në Real: nëse do të luante në klubet ku kam luajtur unë, pa marrë katër muaj rrogë, çfarë do të bënte?”, shprehet trajneri brazilian.

Synon ta fitojë Botërorin e Klubeve

Renato shprehet optimist rreth Botërorit të Klubeve, të cilin synon ta fitojë me Gremion, duke e shkruar kështu historinë.

Por së pari do të ketë punë me Pachucan në gjysmëfinale të këtij evenimenti, për të menduar më pas për finalen, ku mund të takohet me kampionin evropian, Real Madrid.

“Me gjithë respektin, por jemi këtu për të fituar. Nuk do ta ndryshojmë mënyrën tonë të lojës”, deklaroi ish-futbollisti i njohur brazilian.

Meritoj statujë, një ditë do ta drejtoj Brazilin

29 vjet më pas “Gaucho thotë: “Për atë që e kam bërë për Gremion e meritoj një statujë”, shton Renato, i cili sivjet e kishte fituar Copa Libertadores, që është i njëjtë me Ligën e Kampionëve të Evropës. Dhe presidenti Romildo Bolzan e ka menduar po ashtu këtë. Mirëpo, fillimisht duhet t’ia vazhdojë kontratën, e cila i skadon në fund të dhjetorit. Prapa Renatos gjendet Flamengo, por të hënën në Al Aian ka arritur menaxheri i trajnerit për të diskutuar. “I kam premtuar vajzës sime se një ditë do ta drejtoj Seleçaon (Kombëtaren e Brazilit)”, shton ai.

Renato “Gaucho” e ka thumbuar edhe kampionatin italian.

“Serie A sot është një kampionat qesharak”, thotë 55-vjeçari, i cili kishte luajtur në Romë. Kur ishte futbollist, kur e pyesnin nëse ka frikë nga mbrojtësit, ai ishte përgjigjur:

“Më shumë se mbrojtësit mua duhet të më preokupojnë mbi të gjitha gratë e tyre”. /Zëri/