Sport

FFK e jep vendimin e papritur për lojtarët e liruar të Feronikelit

FFK e jep vendimin e papritur për lojtarët e liruar të Feronikelit
13 dhjetor 2017 • 16 : 52 Foto: Driton Bublaku

Federata e Futbollit të Kosovës e ka komentuar rastin e Feronikelit, pas dorëheqjes së kryesisë së klubit, shkruan zeri.info.

FFK kërkon që sa më shpejt të zgjidhet çështja e kryesisë së re të këtij klubi.

“Duke u nisur nga situata e krijuar në klubin e futbollit ‘Feronikeli’ nga Drenasi, pas dorëheqjes së parevokueshme të kryetarit të klubit z. Ekrem Elshani, i cili dorëheqjen e tij e ka deponuar në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të komunës së Drenasit. Pas marrjes së Informatës zyrtare nga ana e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Drenasit. Federata e Futbollit e Kosovës kërkon që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë dhe të zgjidhet kryetari i ri dhe organet tjera me qëllim të sanimit të kësaj gjendje”, njofton shtëpia e futbollit kosovar.

Gjithashtu, institucioni më i lartë i futbollit kosovar e ka sqaruar edhe situatën e lojtarëve të lënë të lirë nga ana e klubit nga Drenasi, të cilët megjithatë nuk mund të transferohen në ndonjë klub tjetër.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton të gjitha klubet dhe palët tjera të interesuara dhe të involvuara për çfarëdo lloj interesi, se të gjitha vendimet e marra për transferimin e lojtarëve apo veprimet tjera juridike pas datës 11 dhjetor 2017 janë t[ pavlefshme dhe jo legjitime. E gjithë kjo nga ana e FFK-së bëhet për interes të ruajtjes së interesit të klubit, mbrojtjen e futbollistëve si dhe ruajtjen e integritetit të garave. FFK-ja beson dhe shpreson se klubi i “Feronikelit” bashkë me udhëheqjen komunale do të gjejë forcë që kjo situatë të tejkalohet”, përfundon njoftimi i FFK-së. /Zëri/

© zëri.info